Wed, Apr 8, 2026

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi masën e arrestit të Ilir Metës

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi masën e arrestit të Ilir Metës
  • PublishedApril 8, 2026
Gjykata Kushtetuese lë në fuqi masën e arrestit të Ilir Metës

Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën, më 8 prill 2026, të rrëzojë kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve të gjykatave që e lanë atë në masën e sigurisë “arrest në burg”, si dhe konstatimin e shkeljeve gjatë momentit të arrestimit të tij nga Policia e Shtetit.

Përmes një njoftimi për vendimmarrjen, Gjykata bëri me dije se me shumicë votash ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Metës, duke e lënë në fuqi masën e arrestit të konfirmuar më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Apeli i Posaçëm dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.

Në analizën e saj, Kushtetuesja e ndau shqyrtimin në dy pretendime kryesore të ngritura nga kërkuesi. I pari kishte të bënte me ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e masës së arrestit dhe i dyti me pretendimet për dhunë dhe trajtim poshtërues nga policia gjatë prangosjes.

Lidhur me thelbin e masës së sigurisë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në rastin e Metës ekziston “dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova”. Sipas vlerësimit të trupës gjykuese, në çështjen penale ndaj tij “ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindnin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet”.

Po ashtu, gjykata thekson se kufizimi i lirisë përmes “arrestit në burg” nuk është joproporcional në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe është vendosur për një qëllim të ligjshëm, atë të garantimit të mbarëvajtjes së procesit penal.

Një pjesë e rëndësishme e padisë së Metës lidhej me momentin e arrestimit të tij më 21 tetor 2024. Meta pretendoi cenimin e së drejtës për të mos iu nënshtruar torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues nga mënyra e ekzekutimit të urdhër-arrestit nga Policia e Shtetit.

Për këtë pikë, Gjykata konstatoi se megjithëse autoritetet shtetërore nuk vepruan me nismën e tyre për të adresuar këto pretendime në atë kohë, vetë Meta ka paraqitur një kallëzim penal. Bazuar në informacionet e përcjella nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se në vitin 2025 është regjistruar një procedim penal për veprën “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe hetimet janë ende në vijim.

Për shkak se ky procedim nuk ka përfunduar ende me një vendim të formës së prerë nga gjykatat e zakonshme, Gjykata Kushtetuese vendosi se nuk mund ta marrë në shqyrtim këtë pretendim, për shkak të natyrës së saj subsidiare dhe të mosshterimit të mjeteve juridike.

Meta u arrestua me vendim të Gjykatës së Posaçme në tetor 2024. Ai akuzohet nga SPAK për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Monika Kryemadhi. Nën hetim për këto çështje janë edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho dhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.