Mes shëndetit të rënduar dhe konflikteve familjare, flet İbrahim Tatlıses: Nuk e fal
Legjenda e muzikës turke İbrahim Tatlıses, i cili prej disa ditësh ndodhet i shtruar në kujdes intensiv pas një infeksioni që i përkeqësoi gjendjen shëndetësore, ka thyer heshtjen përmes një mesazhi të dërguar në emisionin televiziv “Gel Konuşalım”.
Sipas mediave turke, artisti u dërgua me urgjencë në spital pasi u ndje keq në banesën e tij dhe më pas u vendos në reanimacion për trajtim intensiv. Mjekët raportojnë se gjendja e tij po përmirësohet gradualisht, megjithatë ai vijon të mbetet nën mbikëqyrje të rreptë.
Pavarësisht situatës shëndetësore, Tatlıses ka tërhequr vëmendje me deklaratën e tij të fundit, ku ka folur sërish për marrëdhëniet e tensionuara me fëmijët e tij, veçanërisht me djalin e madh Ahmet Tatlıses, si dhe vajzën Dilan.
Në mesazhin e tij publik, ai është shprehur i prerë duke mos e zbutur qëndrimin ndaj tyre, pavarësisht vizitës që ata i kanë bërë në spital. “Dilan dhe Ahmet le t’i luten Melek Zübeyde-s dhe Tuğçe-s. Përndryshe nuk do t’i lija të hynin në dhomë. Ahmetin nuk e dua, nuk do ta dua dhe nuk do ta fal. Nuk ia bëj hallall,” është shprehur ai.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të shumta në mediat turke dhe rrjetet sociale, duke theksuar se konfliktet familjare të artistit vazhdojnë të mbeten të thella, edhe në një moment delikat për shëndetin e tij.
