Sat, Apr 11, 2026

Lazio mendon për sulmuesin e kombëtares, aksion konkret në verë

Lazio mendon për sulmuesin e kombëtares, aksion konkret në verë
  • PublishedApril 11, 2026

Emri i Kristian Shpendit po rikthehet fuqishëm në orbitën e Lacios në prag të merkatos së verës. Sulmuesi i Çezenës, i cili po zhvillon një sezon shumë pozitiv në Serie B, po konsiderohet si një opsion real për përforcimin e repartit ofensiv të klubit nga Roma.

Sipas lajmeve të fundit në Itali, Lacio e ka rikthyer seriozisht interesimin për sulmuesin shqiptar të lindur në vitin 2003, një emër që ishte në radarët e klubit edhe gjatë vitit 2024. Forma e tij e mirë dhe vazhdimësia në paraqitje kanë bërë që drejtuesit e klubit të shohin te ai një investim për të ardhmen.

Në sezonin aktual, Shpendi ka arritur të shënojë rreth 10 gola dhe 4 asistime në 33 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Çezenës. Këto shifra kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg dhe interesimin nga klube të ndryshme europiane. Në këtë moment, Lacio duket se është një nga klubet më serioze në garë.

Klubi bardhekaltër e sheh Shpendin si një profil të ri, me potencial rritjeje dhe mundësi për t’u zhvilluar në një sulmues të rëndësishëm në Serie A në vitet e ardhshme. Interesime për Shpendin ka edhe nga klube të tjera si në Itali, ashtu edhe jashtë saj dhe bëhet fjalë për Katarin apo edhe Premier Ligën Angleze, teksa pritet një verë e nxehtë për sulmuesin.