Sat, Apr 11, 2026

“Një analizë më ndryshoi jetën”/ Alaudin Hamiti rrëfen përballjen me diabetin

“Një analizë më ndryshoi jetën”/ Alaudin Hamiti rrëfen përballjen me diabetin
  • PublishedApril 11, 2026

Moderatori i njohur kosovar, Alaudin Hamiti, ka ndarë së fundmi një moment të rëndësishëm nga jeta e tij personale, duke zbuluar për herë të parë publikisht se është diagnostikuar me diabet Tipi 2.

Përmes një bashkëbisedimi me ndjekësit në Instagram, Hamiti është pyetur se kur e kuptoi për sëmundjen, ndërsa përgjigjja e tij ka qenë e drejtpërdrejtë dhe mjaft emocionale. Ai tregoi se gjithçka nisi rreth gjashtë vite më parë, pas një analize rutinë që në fillim nuk dukej shqetësuese.

“6 vite më parë, një analizë rutinë ma ndryshoi rrugëtimin përgjithmonë. Atëherë kisha frikë për zemrën, por rezultati doli tjetër: Diabeti Tipi 2. Ishte shokuese. Por sot e kuptoj që me çdo ndryshim apo përjetim që kemi, mësohemi ta pranojmë”, u shpreh ai.

Rrëfimi i moderatorit ka prekur shumë ndjekës, pasi vjen si një mesazh ndërgjegjësues për rëndësinë e kontrolleve shëndetësore dhe diagnostikimit të hershëm.

Diabeti Tipi 2 është një sëmundje kronike që ndikon në mënyrën se si trupi përpunon sheqerin (glukozën) në gjak. Ai shfaqet kur organizmi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë në mënyrë efikase. Ndër faktorët kryesorë të rrezikut përfshihen stili i jetesës, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe predispozita gjenetike.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë lodhje të vazhdueshme, etje të shtuar, urinim të shpeshtë dhe turbullim të shikimit, megjithatë në shumë raste sëmundja mund të zhvillohet pa shenja të dukshme, duke u zbuluar vetëm përmes analizave.

Edhe pse diabeti Tipi 2 nuk ka një kurë përfundimtare, ai mund të menaxhohet me sukses përmes një diete të shëndetshme, aktivitetit fizik, kontrollit të peshës dhe, në disa raste, me trajtim medikamentoz.