Zgjedhjet e Hungarisë mund të riformatojnë skenën politike të Europës
Hungaria qëndron përballë zgjedhjeve vendimtare këtë fundjavë, të cilat mund t’i japin fund sundimit 16-vjeçar të kryeministrit dhe të dërgojnë valë tronditëse në aleancën e tij ndërkombëtare të partive populiste të djathta.
Zgjedhjet shihen gjithashtu si një tregues kyç për të ardhmen e Hungarisë, mes spekulimeve se, me Orbanin ende në krye, vendi mund të largohet gradualisht nga Bashkimi Europian për t’u afruar në orbitën e Rusisë.
“Rreziqet janë të mëdha, veçanërisht në Evropë,” thotë Zsuzsanna Szelenyi për BIRN, autore e librit “Tainted Democracy: Viktor Orban and the Subversion of Hungary”.
Pasi bllokoi për vite me radhë vendimet e BE-së, veçanërisht për Ukrainën, durimi i Brukselit ndaj Hungarisë është duke shteruar.
“Nëse Orbani fiton, do të jetë shumë e vështirë të konsolidohen marrëdhëniet me BE-në. Ai mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe gradualisht të përgatisë Hungarinë për një dalje nga BE,” parashikon Szelenyi, një ish-anëtare e partisë “Fidesz” të Orbanit.
Megjithatë, shumë ndjejnë se ndryshimi është në ajër në Hungari.
Sondazhet e fundit të pavarura tregojnë se rivali i Orbanit, Peter Magyar dhe partia e tij e qendrës së djathtë, “Respekt dhe Liri”, Tisza, janë disa pikë përqindjeje përpara partisë në pushtet.
Organizatat pranë Fidesz-it të Orbanit këmbëngulin megjithatë se fitorja e qeverisë nuk është në rrezik, duke e ndarë efektivisht vendin në dy kampe: disa presin një fitore të madhe të opozitës – madje edhe një super-shumicë prej dy të tretash – ndërsa të tjerë besojnë fort në qëndrimin e Orbanit në pushtet.
Këto dy bindje do të përplasen të dielën, kur ekspertët presin një pjesëmarrje rekord.
Përballja hungareze
Gara është një përballje spektakolare mes një Orbani me përvojë, por dukshëm të moshuar dhe gjithnjë e më autoritar, dhe një sfidanti karizmatik, me aftësi të rralla në rrjetet sociale dhe energji të pashtershme për të udhëtuar në të gjithë vendin dhe për të arritur edhe në zonat më të largëta të Hungarisë.
Fushata e Peter Magyar ka shtyrë në periferi partitë e vjetra opozitare, kryesisht të diskredituara. Partia Socialiste e Hungarisë vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa Koalicioni Demokratik me prirje liberale të majtë ka gjasa të mos e kalojë pragun për të hyrë në parlament.
E vetmja parti tjetër që mund të hyjë në parlament përkrah Fidesz-it dhe Tisza-s është ajo e ekstremit të djathtë, Mi Hazank, një lëvizje kundër emigracionit, e cila mund të pozicionohet si partner i mundshëm koalicioni për qeverinë.
Kryeministri i mundshëm i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka shënuar një shkëlqim meteorik që nga hyrja në skenën politike vetëm dy vjet e gjysmë më parë. Ish-anëtar i Fidesz-it, ai u shkëput nga partia në fillim të vitit 2024 pas një skandali të profilit të lartë, ku presidentja e atëhershme, Katalin Novak dhe ish-bashkëshortja e Magyarit, ministre e Drejtësisë në atë kohë, Judit Varga, falën një person të përfshirë në fshehjen e pedofilisë në një institucion shtetëror për fëmijë.
Skandali dëmtoi besueshmërinë e Fidesz-it si mbrojtës i vetëshpallur i vlerave familjare dhe çoi në dorëheqjen e të dyja grave – por jo të figurave të tjera të larta.
Në një intervistë të bujshme për kanalin e pavarur në YouTube, “Partizan”, Magyar u distancua hapur nga Orbani dhe qeveria e tij, duke e kritikuar kryeministrin për korrupsion dhe për “drejtimin e vendit si një biznes familjar” – një referencë e dukshme për dhëndrin e Orbanit, Istvan Tiborcz dhe mikun e tij të fëmijërisë Lorinc Meszaros, të cilët janë pasuruar jashtëzakonisht shumë gjatë dekadës së fundit.
Në atë kohë, pakkush priste që ish-anëtari relativisht i panjohur i Fidesz-it, me prejardhje konservatore intelektuale, të përbënte një sfidë serioze për sistemin e konsoliduar të Orbanit. Megjithatë, në vetëm dy vjet e gjysmë, peizazhi politik ka ndryshuar ndjeshëm.
Është ekonomia, budalla


Pasi siguroi rreth 30 për qind të votave në zgjedhjet evropiane të vitit 2024, Magyar kryeson tani në sondazhe. Duke u fokusuar kryesisht në çështje të përditshme si sistemet e dështuara të shëndetësisë dhe arsimit, ai ka rezonuar te shumë hungarezë, sidomos pasi ekonomia ka ngecur në vend gjatë viteve të fundit.
Ngrirja e pjesshme e fondeve të BE-së për shkak të shqetësimeve për shtetin ligjor dhe korrupsionin ka ndikuar dukshëm në ekonomi, e cila ka mbetur në vend që nga recesioni pas pandemisë së koronavirusit.
“Ekonomia hungareze është vërtet në gjendje të keqe, pa rritje për tre vjet me radhë dhe me deficit të lartë,” thotë Eva Palocz, drejtoreshë e institutit të pavarur kërkimor Kopint-Tarki.
Ajo ia atribuon krizën thelbit të politikave ekonomike të Fidesz-it.
“Kompanitë e lidhura me qeverinë kanë thithur burimet dhe kanë kanalizuar fondet publike jashtë ekonomisë, e cila mbahej kryesisht nga fondet e BE-së deri në vitin 2021. Që kur shumica e këtyre fondeve u ngrinë, rritja ka ndalur. Ekonomia hungareze thjesht nuk mund të rritet në këtë sistem,” thotë ajo.
Sipas hulumtimeve të kryera nga faqja e pavarur e lajmeve, Valaszonline.hu, rreth 11,000 miliardë forinta (28 miliardë euro) janë kanalizuar drejt kompanive të lidhura me qeverinë, duke lënë mungesa në sektorë thelbësorë si hekurudhat, spitalet dhe arsimi. Dhe qytetarët kanë filluar ta vënë re këtë.
Palocz nuk beson se një qeveri e Fidesz-it mund t’i korrigjojë politikat ekonomike.
“Është njësoj si në rastin kur makina ngec në baltë dhe ti vazhdon të shtypësh gazin – vetëm sa fundoses më shumë. Por askush nuk do të kthejë timonin,” thotë ajo.
Ajo e quan gjithashtu investimin në industrinë e baterive një gabim të madh dhe simbol të megalomanisë së Orbanit, duke theksuar se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të rifitojnë konkurrueshmërinë vetëm pasi të shembet sistemi “feudal” i ndërtuar nga Fidesz-i në zonat rurale.
“Ne mund të jemi një qeveri kamikaze,” ka paralajmëruar Magyar gjatë një interviste, duke iu referuar ekonomisë së dobët, shoqërisë së polarizuar dhe institucioneve të kontrolluara nga Fidesz-i.
Pozicionet kyçe – si presidenca, prokuroria e përgjithshme dhe gjykatat e larta – do të mbeten në duart e besnikëve të Fidesz-it dhe janë të vështira për t’u ndryshuar pa një shumicë prej dy të tretash.
Një psherëtimë ndërkombëtare lehtësimi
Në nivel ndërkombëtar, një humbje e Orbanit qoftë edhe e ngushtë do të sillte një lehtësim në shumë kryeqytete europiane, në pritje të një Hungarie që nuk vepron më si një “kalë troje” i Rusisë brenda Bashkimit Europian.
“Ekziston një shpresë e fortë në kryeqytetet europiane dhe mes elitave europiane se ndryshimi është i mundshëm në Hungari,” thotë eksperti i politikës së jashtme, Szelenyi, duke paralajmëruar gjithsesi se edhe Tisza nuk do të jetë gjithmonë në linjën e Europës, veçanërisht për Ukrainën dhe emigracionin.
“[Por] ata pritet të veprojnë si një partner më i besueshëm dhe konstruktiv i Bashkimit Europian,” tha ai.
Në anën tjetër, aleanca e gjerë populiste e krahut të djathtë të Orbanit është dukshëm e alarmuar nga probabiliteti se mund të humbasë modelin e saj më të suksesshëm, i duartrokitur kryesisht nga aftësia për të qëndruar në pushtet për 16 vjet radhazi – një arritje e rrallë e politikës bashkohore.
Orban e ka shijuar rolin e tij qendror në arenën ndërkombëtare, përmes mikëpritjes së edicionit hungarez të US CPAC, një mbledhje e partive të Patriotëve të Europës në Parlamentin Europian, sikurse edhe mikpritjen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio apo të zv.presidentit të Shteteve të Bashkuara, JD Vance – të gjitha brenda një muaji.
“Humbja e Orbanit do të ishte një goditje e rëndë psikologjike për Patriotët, një lëvizje e gjithanshme, e cila mbahej e bashkuar nga Orbani dhe besimi se ai ishte i pamposhtur,” thotë Szelenyi.
Ndërkohë që partia më e madhe në mbështetjen e Patriotëve të Europës është Fronti Nacional i Francës, mbështetja kryesore financiare vjen nga Hungaria.
“Kjo linjë financiare gjaku mund të lëkundet gjatë viteve të ardhshme nëse Orbani humbet,” shtoi ai.
Mbështetësit e Orbanit i kushtojnë më pak vëmendje keqmenaxhimit ekonomik të 16 viteve të fundit. E llogaritur dikur mes anëtarëve më të fortë të rinj të Bashkimit Europian, Hungaria gjendet tashmë mbrapa në disa indikatorë ekonomikë, ndërkohë që nuk i kapitalizon mundësitë e ofruara nga BE.
“Unë besoj se këto parti populiste i kushtojnë pak vëmendje ekonomisë; ato janë plot me slogane politike, por shumë rrallë merren me përgjegjësinë e qeverisë,” arsyeton Palocz.
Në mënyrë që Orbani ta pranojë humbjen, Magyarit do t’i duhet një fitore e qartë. Ndërkohë që priten blerje dhe manipulime të votës në minutën e fundit, mashtrimi zgjedhor në shkallë të gjerë duket i pamundur.
Pa asnjë dyshim, e diela do të jetë një ditë e gjatë, me rezultate paraprake që shpallen vonë dhe rinumërime të mundshme që pritet të ndodhin në distrikte të veçanta të kontestuara. Votat nga jashtë vendit mund ta shtyjnë rezultatin final deri në mesin e javës.
Nëse Tisza fiton me një diferencë të ngushtë – skenar ky më i mundshëm – Fidesz pritet të përqafojë një strategji agresive opozitare në përpjekjen për të minuar qeverinë e re, e cila pritet të implementojë reforma ekonomike të vështira dhe potencialisht jopopullore.
“Unë nuk e shoh Orbanin të heqë dorë në mënyrë vullnetare nga politika,” thotë Szelenyi.
“Rreziqet janë shumë të larta, veçanërisht financiarisht dhe në veçanti për familjen Orban,” shtoi ai.
Por ajo sheh gjithashtu anëtarë të paduruar të partisë Fidesz për të marrë kontrollin e partisë. Nëse Orban i fiton zgjedhjet, zhgënjimi i shoqërisë hungareze mund të përkeqësohet më tej, ndërsa pritet një valë e re eksodi e të rinjve hungarezë nga vendi.
“Kjo mund të sjellë gjithashtu një kolaps të ekonomisë,” paralajmëron ekonomistja Eva Palocz, duke iu referuar investitorëve dhe agjencive financiare që më së shumti presin ndryshimin e regjimit.
Shpresa është në horizont, por për shumë njerëz brenda dhe jashtë Hungarisë – është ende e vështirë që të imagjinohet një Hungari pa Orbanin.
