Sat, Apr 18, 2026

Barça “driblon” Asllanin, spanjollët i vihen pas “Piratit”, synojnë Vedat Muriqin

Barça “driblon” Asllanin, spanjollët i vihen pas “Piratit”, synojnë Vedat Muriqin
  • PublishedApril 18, 2026

E besoni apo jo, por Barcelona, një nga klubet më të mëdha në botë, po joshet gjithnjë e më shumë nga ideja për të pasur në skuadër një sulmues “dardan”. Pas Fisnik Asllanit, drejtuesit e klubit blaugrana, por kryejnë sondazhe në distancë për Vedat Muriqin. Është e qartë se Robert Lewandowski nuk bën më pjesë në planet e Barçës, me “bomberin” polak që ka bërë gati “valixhet”.

Objektivi i tyre kryesor është Julian Alvarez, por për të arritur te sulmuesi i Atletico Madrid nuk është aspak e lehtë, jo vetëm për kostot e larta të këtij transferimi, por edhe për shkak të rivalitetit të madh dhe marrëdhënieve jo të mira mes dy klubeve.

Drejtori Sportiv i Barcelonës, Deco, ka në dorë identikitin që Hansi Flick kërkon për sezonin e ri, profilin e sulmuesit që dëshiron, një numër 9 me potencë në zonë dhe me eksperiencë. Sipas të përditshmes Sport, një media shumë pranë klubit të Barcelonës, pikërisht duke iu referuar këtyre karakteristikave, Deco është vënë në ndjekje të Vedat Muriqit, një sulmues që po kalon një formë fantastike këtë sezon ku në La Liga ka shënuar 21 gola, 2 më pak se golashënuesi më i mirë, Kylian Mbappe.

Sport
Sport

Gjithnjë sipas Sport, përfaqësues të Barcelonës, me anë të ndërmjetësve, kanë kërkuar informacione mbi situatën e Muriqit, edhe pse jo nuk kanë kontaktuar drejtpërdrejtë me përfaqësues të lojtarit.

Sulmuesi i përfaqësueses ka një klauzolë largimi nga Mallorca prej 40 milionë euro, por mund të transferohet në Barcelonë për një shifër shumë herë më të ulet, gjithnjë edhe në varësi se si do të mbyllet ky sezon i Mallorca-s.

Kujtojmë që Muriqi ka një kontratë me Mallorca deri në 2029, por është thuajse e pamundur që të mbajnë në skuadër “Piratin” nëse ekipi bie nga kategoria.