Sat, Apr 18, 2026

“Jam i sigurt që kjo pikë do na vlejë shumë”, Martini kthen sytë nga Dinamo: Maksimumin për të shkuar në finalen e Kupës

“Jam i sigurt që kjo pikë do na vlejë shumë”, Martini kthen sytë nga Dinamo:  Maksimumin për të shkuar në finalen e Kupës
  • PublishedApril 18, 2026

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, është i bindur se pika që fitoi ekipi i tij në Vorë, do të jetë shumë e rëndësishme në fundin e sezonit. Ai insistoi se tashmë vëmendjen e kishte te Kupa dhe një sukses i mundshëm ndaj Dinamos për të arritur finalen e saj.

“Normalisht çdo pikë vlen në këto momente. Pavarësisht se ishim shumë të kondicionuar, sidomos pas pjesës së parë pasi Dodaj e Kallaku për çështje fizike na kërkuan ndërrim. Ndaj u bë shumë e vështirtë. Për çdo ekip që luan për ekipet e mbijetesës janë ndeshje të vështira, e ka të vështirë çdo ekip që të fitojë këtu. Kishim mundësitë tona për të shënuar gol, edhe në pjesën e parë, edhe në të dytën. Gjithsesi djemtë dhanë maksimumin në fushë, me vjen keq që nuk morëm tre pikët, por janë edhe 4 javë kampionat dhe çdo pikë është e vlefshme.

Dodaj kërkoi ndërrim që në minutën e 30, ndoshta edhe më shpejt, por e mbajtëm derisa mbaroi pjesa e parë për të mos djegur ndërrim. Dha sa kishte, luftoi, kërkoi ndërrim dhe ishim të detyruar.

U bënë shumë mungesa. Mala kishte arsye kartonësh, Bismark ishte në gjendje jo të mirë dhe u bënë disa lojtarë. Por edhe kështu kishim rastet tona, duhej të ishim pak më strikt para portës, sidomos me goditjet standarte. Nuk arritëm të shënonim. 0-0, në këtë fushë, në këto momente, nuk është e lehtë të merret.

Kur them na mungonin shumë lojtarë, kjo është një pjesë, se kur të mungojnë 4 pa hyrë në lojë e 2 kërkojnë ndërrim, bëhen shumë. Edhe ata nga stoli, edhe Kubazi e Tafili dhanë maksimumin. Edhe ata që hynë dhanë maksimumin dhe të rinjtë u përpoqën. Patëm mundësi, pak më të kujdesshëm mund të shënonim me Muratajn e goditjet standarte. Nuk ia arritëm, ndeshje e fortë. Kjo pikë mund të duket pak por ndoshta më vonë do të duket shumë.

Ne kemi në mesjavë Dinamon, një ndeshje shumë, shumë e rëndësishme dhe kërkojmë me ngulm të arrijmë finalen e Kupës. Shpresojmë t’ia arrijmë, do bëjmë të gjitha mundësitë, edhe me rikuperimet që besoj bëhen deri të mërkurën se futbollistët do rikuperohen, deri të mërkurën besoj janë të gatshëm, janë më të freskët. Ndeshje e vështirë, të mendojnë për të arritur finalen.

Kampionat i vështirë? Është e vërtetë, që në ditën e parë ka qenë i tillë, janë edhe katër javë, katër finale, janë edhe tre të tjera në “Final Four”. T’i marrim me radhë, të mos mendojmë shumë larg. Këto janë ndeshje që duhen vlerësuar maksimalisht, duhet marrë maksimumi i mundshëm. Paçka se një pikë sot duket pak, por jam i sigurt që në fund të sezonit ka për të vlejtur shumë”, tha Martini për mediat pas ndeshjes.