Kumbulla drejt rikthimit të madh, projektohet lëvizja që në fundjavë
Marash Kumbulla duket se ka mbyllur momentin e vështirë në kampionatin spanjoll dhe tashmë synon të rikthehet në formën e dikurshme. Qendërmbrojtësi i Kombëtares u rikthye të luante fundjavën e fundit me Majorkën dhe mori disa minuta në fitoren ndaj Rajo Vajekanos, aty ku Muriqi theu rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.
Ndërkohë, këtë javë Majorka ka një ndeshje shumë të vështirë ndaj Valencias dhe përgatitjet për këtë takim kanë nisur prej ditësh. Mediat spanjolle raportojnë se Kumbulla është pranë rikthimit si titullar dhe megjithëse deri më tani nuk ka luajtur që nga janari, ai mund të jetë surpriza e madhe në ndeshjen e fundjavës.
Mbrojtësi Maskarel nuk është në momentin e tij më të mirë dhe kjo formë e dobët, ka ardhur pikërisht në momentin kur Kumbulla është rikuperuar dhe qendërmbrojtësi ka shansin e artë për të rifituar vendin e tij, e ndoshta në javët e mbetura për të “detyruar” drejtuesit e klubit që të blejnë kartonin nga Roma. Në të kundërt, Kumbulla do të rikthehet në Romë ku do të presë një tjetër transferim i cili me shumë gjasa mund të jetë huazim.
