Kaos në Spanjë me Keidi Baren, bëri sherr me trajnerin dhe tifozët e tij gjatë ndeshjes. Futbollisti kërkon falje
Keidi Bare nuk po kalon një sezon të lumtur me skuadrën e Real Saragozës dhe me situatën e krijuar së fundmi, rrezikon ta ketë mbyllur para kohe këtë edicion. Mesfushori i Kombëtares shqiptare është bërë protagonisti negativ i fundjavës për një sherr me trajnerin dhe tifozët e skuadrës së tij. Gjithçka ndodhur në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Seuta, që u mbyll me rezultatin 2-2 duke lënë Zaragozën në zonën e ftohtë të klasifikimit. Bare e nisi ndeshjen si titullar por trajneri David Navarro vendosi të zëvendësonte shqiptarin si dhe 2 lojtarë të tjerë që në minutën e 42-të të ndeshjes, pasi nuk ishte i kënaqur me paraqiten e tyre.
Bare doli nga loja duke turfulluar e debatuar publikisht me trajnerin e tij, pasi mendonte se ndërrimi mund të priste edhe pak minuta derisa skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjeve. Kjo sjellje e tij nuk u pëlqeu tifozëve, me një grup të vendosur pas pankinës së Saragozës që nisi menjëherë të debatonte ashpër me Baren, ndërsa shokët e skuadrës po mundoheshin ta qetësonin.
Pas disa çastesh kaosi, Bare qëndroi i heshtur në pankinë dhe situata u qetësua. Por pasojat do të ndjehen në javët në vijim pasi në klub nuk e pritnin një reagim të tillë nga mesfushori me eksperiencë, i cili është njëkohësisht edhe zëvendëskapiten.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Bare këtë të diele, në stërvitjen e planifikuar për rikuperimin një ditë pas ndeshjes së të shtunës, i ka kërkuar falje trajnerit Navarro për sjelljen e tij. Pritet gjithashtu që të bëjë të njëjtën gjë edhe të martën para skuadrës. Por në mediat spanjolle tashmë diskutohet nëse Bare do të ketë më minuta në ndeshjet e mbetura të Real Saragozës në këtë sezon pas një përplasje të tillë publike edhe me tifozët e skuadrës së tij.
