Tue, Apr 21, 2026

Harry Kane me shifra të “frikshme”, tani favorit për “Topin e Artë”

Harry Kane me shifra të “frikshme”, tani favorit për “Topin e Artë”
  • PublishedApril 21, 2026

Prej më shumë se një dekade, Harry Kane vendosi t’i qëndrojë besnik Tottenham Hotspur. “Bomberi” anglez bëri pjesën e tij, shënoi gola pafund, por për fat të keq “gjelat” nuk arritën kurrë të fitonin një trofe të rëndësishëm. Në moshën 30-vjeçare, Harry Kane vendosi të largohej nga Londra për të nisur një aventurë të re te Bayern Munich.

Kjo rezultoi një lëvizje e shkëlqyer pasi me transferimin te Bayern erdhën dhe trofetë e parë, fillimisht Superkupa e Gjermanisë, më pas titulli në Bundesligë. Harry Kane po përjeton një rini të dytë edhe këtë sezon, me kapitenin e “Tre Luanëve” që ka realizuar 51 gola, duke udhëhequr Bayern në titullin e dytë radhazi në Bundesligë.

Të gjithë në radhët e Bayern Munich janë shumë të lumtur me atë Harry Kane ka dhënë, fakt që e konfirmoi edhe presidenti i nderit Uli Hoeness, me këtë të fundit që blindoi sulmuesin anglez, të paktën deri në 2027: “Është e vërtetë që në fund të këtij sezoni aktivizohet klauzola e tij e largimit, por në të njëjtën kohë kontrata e tij është e vlefshme deri në 2027”, u shpreh Hoeness.

Pasi futi në “xhep” titullin e tij të dytë në Bundesligë, Harry Kane konfirmoi edhe një herë se ndihet mirë në Mynih: “Jam me të vërtetë i lumtur këtu, por asgjë nuk ka përfunduar. Të fitosh këto tituj nuk është kurrë e lehtë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm t’i bëjmë një mbyllje të bukur këtij sezoni, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë dhe pa diskutim në Champions League”, u shpreh Harry Kane.

Falë paraqitjes me Bayern këtë sezon dhe me Botërorin në horizont, Harry Kane është kthyer në favoritin kryesor për të fituar “Topin e Artë” këtë sezon. Ky trofe do të ishte mbyllja perfekte e një karriere me ulje ngritje të forta.