Çmenduri në tregun e biletave: finalja e Botërorit 2026 arrin deri në 2 milionë dollarë
Gara për biletat e finales së Botërorit 2026, që do të luhet më 19 korrik në MetLife Stadium, ka arritur nivele të pazakonta, me çmime që kanë shkaktuar debat të gjerë në opinionin publik dhe në botën e sportit.
Sipas raportimeve të Associated Press, në portalin zyrtar të shitjes së biletave të FIFA janë shfaqur disa vende në unazën e parë pas porte me çmime që arrijnë deri në 2,299,998 dollarë për biletë, ose rreth 2 milionë euro. Këto shifra janë cilësuar si “astronomike” dhe kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet.
Edhe pse FIFA nuk i kontrollon drejtpërdrejt çmimet e vendosura nga shitësit në platformën e saj Marketplace, ajo përfiton një komision prej 15% si nga blerësi ashtu edhe nga shitësi, duke e bërë tregun e rishitjes një segment fitimprurës.
Lista e çmimeve paraqet gjithashtu mospërputhje të mëdha brenda të njëjtit sektor të stadiumit. Vendet në unazën e tretë variojnë nga 23 mijë deri në 138 mijë dollarë, ndërsa në disa raste për pak metra diferencë çmimi ndryshon në mënyrë drastike. Ndërkohë, biletat më “ekonomike” për finalen kushtojnë rreth 10,923 dollarë.
FIFA ka mbrojtur modelin e çmimeve dinamike, duke e argumentuar se ai është në linjë me praktikat e tregut sportiv në Amerikën e Veriut dhe synon optimizimin e shitjeve përmes vlerës reale të kërkesës. Megjithatë, kjo politikë ka ndezur debat mbi aksesueshmërinë e tifozëve në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë.
