Thu, Apr 30, 2026

I shënuan 5 gola Bayern, por në Paris nuk festojnë, Enrique shkund ekipin

I shënuan 5 gola Bayern, por në Paris nuk festojnë, Enrique shkund ekipin
  • PublishedApril 30, 2026

PSG-Bayern Munich dhuruan një nga sfidat më spektakolare në historinë e Champions League, 9 gola të shënuar, me ekipin e Luis Enriques që triumfoi në aktin e parë me rezultatin 5-4, por me sa duket ky rezultat nuk është festuar gjatë në Paris, të vetëdijshëm se kualifikimi do të vendoset në Mynih më 6 maj. L’Equipe zbulon se në dhomat e zhveshjes të PSG, pas sfidës kundër Bayern, mbizotëronte një ndjenjë krenarie, por dhe befasie.

Djemtë e Luis Enriques ishin të befasuar nga intensiteti dhe cilësia e rivalëve të tyre, një ekip që nuk u dorëzua për asnjë moment edhe kur rezultati ishte 5-2. Surpriza e madhe në sytë e tyre ishin dyshja Olise-Diaz, protagonistë absolut në këtë mbrëmje. Prestigjiozja franceze zbulon se pas ndeshjes, të gjithë në radhët e PSG u bashkuan në një pikë: “Të përballesh me Bayern në këtë mënyrë, me një futboll të hapur ofensivë ishte shumë e vështirë”, por në të njëjtën kohë ky sukses i jep edhe më shumë besim për ndeshjen e kthimit.

L’Equipe shton se në këtë pikë në skenë zbriti Luis Enrique, me teknikun spanjoll që mbajti ambientin të karikuar dhe me këmbë në tokë, duke i kërkuar që të ruajnë të njëjtin profil edhe në Mynih, por duke korrigjuar disa gabime të dukshme në mbrojtje dhe duke qenë më efikas përpara porte, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojnë një biletë për në finalen e madhe të Champions League.