36 vite pas vrasjes së burrit, ku është sot Pamela Smart?
Gati katër dekada pas një prej krimeve më të bujshme në SHBA, rasti i Pamela Smart vijon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe mediave. Ngjarja daton më 1 maj 1990, kur bashkëshorti i saj, Gregg Smart, u gjet i vrarë me armë zjarri në banesën e tyre në New Hampshire.
Hetimet zbuluan se Smart, atëherë 22 vjeçe, kishte një lidhje intime me një nxënës të mitur, William Flynn. Ky i fundit pranoi në gjyq se ishte autori i vrasjes, por deklaroi se kishte vepruar me nxitjen e saj — një akuzë që Smart e ka mohuar vazhdimisht.
Sipas dosjes, Flynn dhe disa bashkëpunëtorë të tij organizuan krimin, duke detyruar viktimën të gjunjëzohej përpara se të qëllohej për vdekje. Prokuroria argumentoi se Smart kishte ndikuar në ngjarje, ndërsa vetë ajo ka pranuar më vonë përgjegjësi morale, por jo ligjore.
“M’u deshën vite të kuptoja rolin tim… edhe pse nuk tërhoqa këmbëzën, sjellja ime e keqe ndihmoi në këtë tragjedi,” është shprehur ajo në një intervistë për PEOPLE.
Në vitin 1991, Smart u shpall fajtore për komplot për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi. Ndërkohë, autorët e tjerë kanë përfituar lirime me kusht ndër vite.
Sot, ajo vazhdon të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në Nju Jork, ndërsa ka bërë disa përpjekje për rishikim të çështjes. Në vitin 2026, ajo paraqiti një kërkesë të re për të rrëzuar dënimin, duke u mbështetur në prova të reja.
Historia e saj mbetet një nga rastet më të debatueshme të drejtësisë amerikane.
