Bylis, Josa: Ishte ndeshje “jetë a vdekje”, jam i kënaqur me ekipin
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa u ndal të fliste pas fitores 0-2 ndaj Vllaznisë.
“Problemi ishte që ndeshja sot ishte për të dy skuadrat për jetë a vdekje. Nuk mund të themi se ishte e thjeshtë, pavarësisht se e patë si shkoi loja. Ne e vuajtëm pjesën e parë, në mënyrën si fitonim topin, si do nxirrnim topin para, sidomos nga mbështetja e dy sulmuesve që nuk u bë siç duhet. Fjalë të mira mund të them për skuadrën pas këtij rezultati, ndryshe do kisha folur po të kisha rezultat tjetër, kështu që llafet e shumta në këtë moment janë fukarallëk. Mora vesh rezultatet e tjera dhe jemi përsëri në të njëjtat pozita. Themi se me mënyrën se si djemtë punojnë për të plotësuar detyrat e tyre që u kam dhënë, na jep një lloj shprese për vazhdimësinë.
Janë dy finale shumë të rëndësishme për ne. Por do të shohim të qetësohemi se për një javë mbaron kampionati. Kë mund të kalojmë? Nuk mund të jap shumë konkluzione në këtë drejtim, thjesht duhet të qetësohemi për vazhdimësinë në ndeshjen me Elbasanin.
Ishte një rezultat që barazimi, siç dolën ndeshjet e tjera, nuk na leverdiste fare. Erdhëm për fitore dhe fati ynë, se futbolli ka edhe fat.
Unë doja t’i kisha këto 7 pikë, por jo kundër Vllaznisë, por rivalëve për mbijetesë. Por futbolli kështu e ka, se në fund të fundit Vllaznia na ka eliminuar nga Kupa.
Të them të drejtën unë sa herë vij në Shkodër, vij me kënaqësinë më të madhe, qoftë edhe si kundërshtar. E kam shprehur edhe herë tjetër kur më keni intervistuar pas ndeshjeve si kundërshtar, është qyteti që më ka dhënë, edhe pse nuk kam fituar shumë, më ka dhënë kënaqësinë më të madhe për të punuar.
Unë i uroj Vllaznisë të dali kampion dhe të plotësojë ëndrrën që kanë shumë tifozë këtu, edhe njerëzit që drejtojnë klubin
