Durrësi mirëpret qindra entuziastë të Vespa-s në përvjetorin e klubit shqiptar
Pjesëmarrësit ishin nga klubet shqiptare, por kishin ardhur edhe nga shumë vende të Europës dhe botës.
Në kuadër të festimeve, qyteti bregdetar u kthye në një paradë të gjallë ngjyrash dhe tingujsh, ku dhjetëra modele ikonike të Vespa-s, nga klasikët vintage deri te versionet më moderne, përshkuan bulevardet dhe shëtitoren buzë detit.


Aktiviteti u shoqërua me performanca muzikore dhe ndalesa simbolike në pikat historike të Durrësit, duke e kthyer përvjetorin jo vetëm në një festë të komunitetit, por edhe në një promovim të turizmit dhe kulturës urbane të qytetit.


Historia e Vespa nis në vitin 1946 në Itali, kur kompania Piaggio prezantoi modelin e parë si një mjet të thjeshtë, ekonomik dhe praktik për lëvizjen e përditshme pas Luftës së Dytë Botërore. I projektuar nga inxhinieri Corradino D’Ascanio, Vespa u dallua për dizajnin inovativ me shasi monokokë dhe për lehtësinë e përdorimit.


Emri “Vespa” (grerëz) u frymëzua nga tingulli karakteristik i motorit dhe forma elegante e trupit. Gjatë dekadave, Vespa u shndërrua në një ikonë globale të stilit italian dhe kulturës urbane, duke u lidhur ngushtë me lëvizjet rinore dhe kinemanë e viteve ’50 e ’60.
