Llapi dhe Drenica arrijnë fitore tejet të rëndësishme si mysafirë, Ferizaj shkëput një pikë në Gjilan
Të dielën u zhvilluan tri ndeshje dramatike në kuadër të xhiros së 32-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, ku lufta për mbijetesë dhe për pozitën e barazhit u ndez edhe më shumë. Llapi mori një fitore shumë të rëndësishme në Suharekë në duel me Ballkanin (1:0), falë supergolit të kapitenit Arbnor Ramadani në minutën e 75-të. Me një vollej spektakolar, Ramadani i dha tri pikë të arta skuadrës së tij, që tashmë ka 39 pikë dhe mban vendin e tetë, pozitë që dërgon në barazh. Ndërkaq, kjo humbje e largon edhe më shumë Ballkanin nga gara për titull, pasi tashmë ngec tetë pikë me Dritën. Një gol për tri pikë të mëdha si mysafire i ka mjaftuar edhe Drenicës, që ka shënuar fitore në Klinë ndaj Dukagjinit.
Mesfushori Fjoart Jonuzi shënoi në minutën e 93-të, duke i dhënë skuadrës kuqezi nga Skenderaj pikët e plota. Tani të dyja skuadrat kanë nga 41 pikë, me Dukagjinin në vendin e gjashtë dhe Drenicën në të shtatë. Me rezultat pozitiv si mysafir ka dalë edhe Ferizaj, që arriti t’i shmanget humbjes ndaj Gjilanit, me golin e minutës së 113-të. Pas një penalltie të humbur nga Erion Sadriu, topi i pritur nga portieri Agron Kolaj u kthye te lojtarët e Ferizajt dhe Benato Bekima Claude shënoi me kokë golin e barazimit. Më herët, Senad Jaroviq kishte kaluar Gjilanin në epërsi në minutën e 82-të. Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 34 pikë, ndërsa Gjilani ruan vendin e pestë me 45 pikë.
