VIDEO/ Ka veshur 8 herë fanellën e Shqipërisë U-21, sulmuesi 28-vjeçar shkëlqen me gol dhe asist kundër… Mario Balotelit
Ish-sulmuesi i Kombëtares Shpresa, Shefit Shefiti, u bë protagonist absolut te skuadra e Hatas, në triumfin 1 me 4 ndaj Al Itifaqit të Mario Balotelit në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shefiti ishte një nga më të mirët në fushë, duke dhënë kontribut direkt në dy gola të skuadrës së tij. Në minutën e 29-të, ai asistoi për Mubarak në golin e dytë të Hata-s, duke hapur rrugën e fitores. Ndërsa në minutën e 67-të, Shefiti u bë vetë pjesë e listës së golashënuesve, duke “vulosur” shifrat 1 me 4.
Një paraqitje e shkëlqyer e futbollistit tetovar, që u konfirmua si një nga më të dalluarit në fushë në një ndeshje me shumë vëmendje, për shkak të pranisë së Mario Balotellit në skuadrën kundërshtare.
Me këtë triumf, Hata ngjitet në vendin e dytë në renditje, pozicion që siguron ngjitje direkte në Superligën e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Vlen të theksohet fakti se 28-vjeçari gjatë karrierës së tij numëron 8 paraqitje me fanellën e Shqipërisë U-21 ku ka shënuar 2 gola.
