Bylisi harron Vllazninë, tani i duhet “befasia” e radhës në Superiore
Bylisi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në fundjavë, duke mposhtur Vllazninë në Shkodër në një sfidë që vlen shumë për mbijetesën e mallakastriotëve.
Në ndeshjen e parafundit jashtë fushës së vet, skuadra arriti të dalë me tre pikë të arta, duke shënuar dy gola dhe duke u futur seriozisht në garë për mbijetesë. Mallakastriotët kanë edhe 180 minuta për të zhvilluar, me dy përballje delikate përpara ndaj Elbasanit në Ballsh dhe ndaj Vorës në transfertë në fundjavë.
Synimi është i qartë, të grumbullohen pikët maksimale në të dyja ndeshjet, pavarësisht vështirësisë që ato mbartin. Në Ballsh, skuadra e di mirë se në një duel si ai me Elbasanin kërkohet mobilizim maksimal dhe përqendrim i plotë. Menjëherë pas fitores në Shkodër, dita e diel i ka gjetur mallakastriotët në fushën e stërvitjes, ku kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës në shtëpi.
Trajneri Mirel Josa, së bashku me presidencën që po qëndron pranë ekipit, ka përgëzuar lojtarët për paraqitjen burrërore dhe futbollin e treguar në “Loro Boriçi”. Stafi teknik ka nisur menjëherë punën për përgatitjen e ndeshjes së ardhshme. Në seancat stërvitore interesi ka qenë i lartë pas fitores në Shkodër, e dyta jashtë fushe këtë sezon pas asaj në Tiranë. Ndërkohë, stërvitje individuale kanë zhvilluar Fokam dhe Sanogo, ndërsa pjesa tjetër e grupit është në dispozicion të plotë të trajnerit.
LËVIZJET – Josa ia doli të përmbysë ndeshjen në Shkodër me skemën e tij taktike dhe me ndërrimet vendimtare, duke aktivizuar Ualison dhe Akibu, të cilët rritën forcën ofensive të skuadrës. Bylisi e ka mposhtur më herët Elbasanin në Ballsh dhe ka marrë pikë edhe në “Elbasan Arena”, ndaj synimi është i qartë. Një tjetër fitore për të forcuar pozitat në tabelë dhe për të mos lëshuar terren në garën për mbijetesë.
Kjo është edhe sfida e fundit në shtëpi për këtë sezon, ndaj pritet mbështetje e madhe nga tifozët jo vetëm të Ballshit, por edhe të gjithë Mallakastrës, duke qenë se futbolli mbetet një nga argëtimet kryesore të zonës. Bylisi ka mundësinë të përsërisë një sezon të suksesshëm dhe, krahasuar me rivalët, mbetet një skuadër me organikë të plotë dhe cilësore në këtë fazë vendimtare të kampionatit.
