Tenis/ “Mund të bojkotojmë”, Sabalenka e ashpër ndaj organizatorëve të Roland Garros, shkak shpërblimet financiare të tenistëve
Tensionet rreth shpërblimeve financiare në tenis vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes në prag të Roland Garros. Nga Internazionali d’Italia, vijnë deklarata të forta nga numri një i botës, Aryna Sabalenka, e cila thekson rolin kyç të lojtarëve në suksesin e këtij sporti.
Sipas saj, pa praninë dhe kontributin e tenistëve, nuk do të kishte as turne dhe as spektakël, ndaj kërkohet një rishpërndarje më e drejtë e të ardhurave. Sabalenka nuk përjashtoi as mundësinë e një bojkoti, duke e konsideruar atë si një mjet të fundit për të mbrojtur të drejtat e lojtarëve.
“Kam përshtypjen se spektakli varet nga ne. Pa ne nuk do të kishte turne dhe nuk do të ishte ky lloj argëtimi. Meritojmë një përqindje përfitimi financiar më të lartë. Shpresoj vërtet që bisedimet të na çojnë herët a vonë në vendimin e duhur. Në një konkluzion që të kënaqë të gjitha palët. Në një moment të caktuar mund të bojkotojmë; është e vetmja mënyrë për të luftuar për të drejtat tona”.
Ndërkohë, organizatorët e Roland Garros kanë njoftuar një rritje prej 9.5% të fondit të çmimeve për edicionin 2026, duke e çuar totalin në 61.7 milionë euro, me 2.8 milionë euro për fituesit e turneve individuale. Megjithatë, kjo rritje nuk i ka bindur plotësisht lojtarët, të cilët kërkojnë një përqindje më të madhe nga të ardhurat gjithnjë në rritje të Grand Slam-eve.
Mes debateve dhe negociatave, pritet që ditët në vijim të sjellin zhvillime të reja, ndërsa sytë e botës së tenisit mbeten të fokusuar te Parisi dhe te ajo që do të ndodhë në një nga turnetë më prestigjioze të sezonit.
