“U tremba mos nuk i pëlqente Anna Wintour” – Heidi Klum flet për paraqitjen ekstreme në Met Gala
Modelja dhe moderatorja e njohur Heidi Klum ishte një nga emrat më të komentuar në tapetin e kuq të Met Gala 2026, falë transformimit të saj ekstrem dhe artistik.
52-vjeçarja u shfaq e mbuluar me grim protezik, duke sjellë versionin e saj të “Veiled Vestal”, statujës së njohur të skulptorit italian Raffaelle Monti. Sipas mediave amerikane, realizimi i look-ut kërkoi tre muaj përgatitje dhe pesë orë punë intensive ditën e eventit.
Megjithatë, pavarësisht reagimeve pozitive, Klum pranoi se shqetësimi më i madh ishte mendimi i Anna Wintour. “E pyeta nëse i pëlqeu dhe ajo tha po. Kisha shumë frikë se mos nuk i pëlqente”, deklaroi modelja.
Për krijimin e veshjes ajo bashkëpunoi me artistin e efekteve speciale Mike Marino, i cili përdori latex dhe spandex për të krijuar iluzionin e një statuje të gdhendur në mermer.
Brenda eventit, Klum u fotografua pranë emrave të mëdhenj si Rihanna, A$AP Rocky, Emily Blunt dhe Ben Stiller.
Edhe pse look-u rezultoi surprizueshëm komod, Klum bëri shaka në TikTok duke treguar se kishte vetëm një problem: “Po mendoja që statujat nuk kanë pushim për në tualet.”
Transformimet ekstreme nuk janë diçka e re për Heidi Klum, e cila prej vitesh njihet si “Mbretëresha e Halloween-it” falë kostumeve të saj spektakolare. Ndër vite ajo është shfaqur si Jessica Rabbit, mumje, krimb gjigant dhe së fundmi si Medusa me gjarpërinj lëvizës në kokë. Pikërisht përkushtimi i saj ndaj detajeve dhe guximi për të eksperimentuar e kanë kthyer Klum në një nga figurat më të komentuara sa herë që bëhet fjalë për modën dhe performancën vizuale.
