Sat, May 9, 2026

Pas alarmit në Greqi, autoritetet shpërthejnë në mënyrë të kontrolluar dronin misterioz

Pas alarmit në Greqi, autoritetet shpërthejnë në mënyrë të kontrolluar dronin misterioz
  • PublishedMay 9, 2026

Një dron detar misterioz i ngarkuar me rreth 100 kilogramë lëndë eksplozive është zbuluar në brigjet e Lefkadas, duke ngritur alarmin tek autoritetet greke dhe duke hapur një hetim të gjerë për origjinën dhe misionin e mundshëm të tij.

Mjeti pa pilot u gjet nga dy peshkatarë në zonën detare të Vasilikisë, të cilët njoftuan menjëherë rojen bregdetare. Sipas raportimeve nga mediat greke, droni ishte fshehur brenda një shpelle dhe në brendësi të tij ndodheshin eksplozivët, të vendosur në një fuçi.

Pas zbulimit, autoritetet e transportuan fillimisht mjetin në portin lokal dhe më pas në zonën e Astakos, ku specialistët e Marinës Ushtarake greke kryen një shpërthim të kontrolluar për neutralizimin e eksplozivit.

Ekspertët që po analizojnë pajisjen thonë se droni kishte karakteristika të ngjashme me sistemet ushtarake ose paraushtarake. Në pjesën qendrore ishte vendosur një kamerë me rezolucion të lartë, ndërsa dy panele të tjera dyshohet se përdoreshin për navigim dhe komunikim.

Sipas të dhënave paraprake, mjeti kishte aftësi lundrimi autonom falë sistemit GPS, baterive të integruara dhe motorit shtytës. Ngjyra e zezë dhe profili i ulët mbi sipërfaqen e detit e bënin shumë të vështirë për t’u zbuluar, sidomos gjatë natës.

Hetuesit dyshojnë se droni mund të jetë përplasur në shkëmbinj pasi humbi sinjalin ose orientimin. Tashmë autoritetet po analizojnë memorien dixhitale, sensorët dhe sistemet elektronike për të zbuluar origjinën, itinerarin dhe objektivin e mundshëm të këtij mjeti misterioz.