Mon, May 11, 2026

Është dënuar…Klodian Braho letër Celibashit për Kreshnik Hajdarin

Është dënuar…Klodian Braho letër Celibashit për Kreshnik Hajdarin
  • PublishedMay 11, 2026

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka përcjellë zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, konfirmimin e dënimit të formës së prerë për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Përmes një shkrese zyrtare të protokolluar më maj 2026, siguruara nga VNA, SPAK konfirmon se Hajdari është deklaruar fajtor për falsifikim të formularëve.

Në letrën drejtuar KQZ-së, kryeprokurori Klodjan Braho detajon ecurinë e procesit penal ndaj Hajdarit, i cili nisi pas verifikimeve mbi pastërtinë e figurës në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas dokumentit:

“Me vendimin Nr.06, datë 25.01.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Kimin e Organizuar ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Kreshnik Hajdari për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve’, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim.”
Në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i Hajdarit u ul në 6 muaj burgim, i cili më pas u pezullua për t’u shlyer me shërbim prove. Dokumenti i SPAK sqaron se ky vendim ka marrë formë të prerë më datë 5 korrik 2024, duke e bërë mandatin e Hajdarit ligjërisht të cenueshëm, dhe heshtjen institucionale të çuditshme, dhe vënien në lëvizje të KQZ-së vetëm tani u shpreh Gjykata e Lartë dhe Maliqi mbajti një konferencë mediatike poshtë zyrës së Celibashit.

Ky zhvillim vjen pas një beteje të gjatë ligjore dhe publike të nisur nga rivali i tij politik në zgjedhjet vendore, Lefter Maliqi. Ky i fundit ka depozituar disa herë denoncime në SPAK dhe KQZ, duke pretenduar se Kreshnik Hajdari ka fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi (për kalim të paligjshëm të kufirit), fakt i cili nuk ishte pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit.

Maliqi ka akuzuar vazhdimisht Hajdarin se ka mbajtur postin në mënyrë të paligjshme, duke argumentuar se:

Hajdari ka konsumuar veprën penale të mashtrimit me dokumentet shtetërore.
Institucionet e drejtësisë dhe KQZ kanë vonuar ekzekutimin e ligjit të dekriminalizimit.
Zgjedhjet në Kuçovë duhet të përsëriten për shkak të pavlefshmërisë së kandidaturës së fituesit.

Me mbërritjen e këtij njoftimi zyrtar nga SPAK, topi kalon në fushën e KQZ-së. Komisioneri Celibashi pritet të mbledhë seancën për të konstatuar mbarimin e parakohshëm të mandatit të Kreshnik Hajdarit, nëse nuk do të ketë shtigje të tjera ligjore që lejojnë të kundërtën.