Raporti i i KLGJ-së rithekson problemet me vakancat, backlog-un dhe sigurinë në gjykata
Ngërçi në funksionimin e sistemit gjyqësor vijon me një stok të lartë dosjesh të patrajtuara, vakanca të theksuara në trupat gjyqësore dhe probleme infrastrukturore në godinat ekzistuese e nevojë për godina të reja.
Të gjitha këto problematika janë pjesë e raportit vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor në Kuvend, si problematika të trashëguara të sistemit për shkak të procesit të vetingut dhe zbatimit të hartës së re gjyqësore.
Duke e cilësuar backlog-u si një sfidë të rëndësishme KLGJ pretendon se në përgjithësi ka pasur një frenim të rritjes së backlog-ut dhe ka nisur një ulje graduale e tij, por nga ana tjetër stoku i dosjeve vijon të ketë “peshë të rëndësishme” në ngarkesën e gjykatave, sidomos në gjykatat e apelit.
“Në vlerësimin tërësor të situatës, vihet re një përmirësim i ndjeshëm në indikatorët e efiçencës për gjykatat e shkallës së parë, situata paraqitet disi më ndryshe në gjykatat e apelit. Sikurse është theksuar edhe më parë, stoku i çështjeve të prapambetura është sfida kryesore me të cilën përballen gjykatat. Backlog-u i trashëguar vazhdon të ketë peshë të rëndësishme në ngarkesën e punës së gjykatave”- pranon KLGJ në raport.
KLGJ pranon se mungesa e gjyqtarëve vijon të ndikojë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe në performancën e sistemit dhe se vakancat mbeten një problem strukturor, veçanërisht në gjykatat e apelit.
“Prania e një numri të konsiderueshëm vakancash vijon të përbëjë një sfidë strukturore, me ndikim të drejtpërdrejtë në performancën dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore”, thuhet më tej në raportin e këtij institucioni.
Një vëmendje të veçantë dokumenti I kushton hapave të ndërmarrë për zbutjen e problemit të mbingarkesës në gjykata duke shpërndarë ngarkesën e punës mes gjyqtarëve dhe gjykatave. KLGJ thotë se ka vijuar zbatimi i shortit elektronik dhe rindarja e çështjeve për të garantuar balancimin e ngarkesës.
Në lidhje me nevojën për rritjen e kapaciteteve administrative dhe profesionale të sistemit, KLGJ ka përgatitur një analizë të vakancave dhe nevojave për rekrutim deri në vitin 2029, duke përfshirë edhe nevojat për staf mbështetës.
Duke u ndalur tek problemet që lidhen me infrastrukturën e godinave të gjykatave, KLGJ rithekson se shumë godina ekzistuese nuk plotësojnë standardet minimale të funksionimit dhe sigurisë, ndërsa mungojnë hapësirat e nevojshme të punës pas zbatimit të hartës së re gjyqësore.
KLGJ I kërkon Kuvendit mbështetje më të madhe financiare për të zgjidhur problemet me infrastrukturën duke e cilësuar atë emergjente.
“Nevojat emergjente për godina të reja kanë lindur, pasi në godinat ekzistuese ku gjykatat ushtrojnë aktivitetin e tyre nuk kanë sipërfaqe të nevojshme pune, nuk plotësojnë standardet e organizimit të brendshëm funksional dhe standardet e sigurisë”, thuhet në raport.
Ndër projektet prioritare për të zgjidhur këtë problematikë është ajo për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.
Në raport po ashtu konstatohet se ka mangësi në standardet e sigurisë në godinat e gjykatave dhe në këtë kontekst nevojitet investime në sisteme monitorimi dhe kontrolli, që janë pjesë e një projekti pilot që do të zbatohet gjatë 2026-ës.
“Ky projekt synon pajisjen e gjykatave me mjete dhe sisteme teknologjike bashkëkohore, të standardizuara, që mundësojnë monitorimin dhe administrimin e çështjeve të sigurisë në ambientet gjyqësore”, thuhet në raport.
Këshilli kërkon nga Kuvend që miratojë më shumë fonde buxhetore më të larta që do të mbështesnin politikat e ‘reformimit dhe përmirësimit të efikasitetit të shërbimit gjyqësor’
“Një rritje e qëndrueshme e fondeve buxhetore në shpenzime kapitale (investime) në vitet në vijim është thelbësore për përmbushjen e objektivave për përmirësimin infrastrukturor të gjykatave, me ndikim të rëndësishëm në funksionimin efikas të sistemit gjyqësor”- thuhet në raport.
