EKSKLUZIVE/ Alarm te Raiffeisen Bank Albania, plasin SMS mashtruese! Siguri prej kartoni?
EKSKLUZIVE/ Alarm te Raiffeisen Bank Albania, plasin SMS mashtruese! Siguri prej kartoni?
TIRANË – Një valë e re mesazhesh mashtruese (SMS) që synojnë klientët e Raiffeisen Bank duket se është rikthyer sërish në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave bankare të qytetarëve, shkruan InfoNews.al.
Kujtojmë se më 28 prill 2025, Policia e Shtetit finalizoi operacionin policor të koduar “MISLEADING MESSAGES”, ku u godit një skemë mashtrimi kibernetik përmes së cilës qytetarëve shqiptarë u dërgoheshin linke të rreme me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare.
Gjatë operacionit u arrestua një 23-vjeçar francez, i identifikuar si Adem Said, i cili sipas autoriteteve kishte ardhur në Tiranë për të tërhequr para të përfituara përmes mashtrimit. Ai u kap pranë një bankomati në Tiranë, që i përkiste Raiffeisen Bank, ndërsa po tentonte të tërhiqte para nga një llogari bankare e aksesuar përmes linkeve mashtruese.
Sipas të dhënave të bëra publike nga policia në atë kohë, skema funksiononte përmes dërgimit të mesazheve të rreme në telefonat celularë, ku qytetarëve u kërkohej të plotësonin të dhënat personale bankare. Këto informacione më pas përdoreshin për akses në llogaritë bankare dhe tërheqje parash përmes bankomatëve apo aplikacioneve bankare. Burime policore bënë me dije se qindra qytetarë shqiptarë kishin rënë pre e kësaj skeme.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit sugjerojnë se tentativa të ngjashme janë rikthyer. Burime për InfoNews.al bëjnë me dije se mijëra SMS janë dërguar së fundmi tek klientët e Raiffeisen Bank, duke tentuar të përftojnë të dhëna sensitive të llogarive bankare përmes linkeve të dyshimta.
Deri më tani nuk ka një bilanc zyrtar mbi numrin e qytetarëve të prekur nga kjo valë e re, por mësohet se disa persona kanë rënë pre e mashtrimit.
Nga ana tjetër, Raiffeisen Bank ka nisur një fushatë informuese ndaj klientëve të saj, duke paralajmëruar për rrezikun e mesazheve mashtruese dhe duke kërkuar që qytetarët të mos klikojnë në linke të panjohura apo të ndajnë të dhënat e tyre bankare.
Në mesazhin e shpërndarë për klientët, banka thekson:
“Ditët e fundit janë raportuar mesazhe SMS mashtruese me përmbajtje të ngjashme. Këto mesazhe janë tentativa mashtrimi me qëllime keqdashëse. Përmes tyre synohet të merren të dhënat tuaja bankare me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë të padrejtë.”
Banka u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë klikuar në linke të dyshimta apo kanë ndarë informacionet e tyre, të kontaktojnë menjëherë Qendrën e Kontaktit.
Rikthimi i kësaj skeme ngre shqetësime serioze mbi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e konsumatorëve në sektorin bankar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet dhe institucionet financiare do të ndërhyjnë për të parandaluar një valë të re mashtrimesh financiare.



