Thu, May 14, 2026

I dhuroi finalen me një kryevepër, Muçi i shpreh dashurinë Trabzonspor: Jam i lumtur këtu, por… (VIDEO)

I dhuroi finalen me një kryevepër, Muçi i shpreh dashurinë Trabzonspor: Jam i lumtur këtu, por… (VIDEO)
  • PublishedMay 14, 2026

Në ditët kur emri i tij qarkullon fuqishëm në Turqi, kur e ardhmja e tij është në ajër, Ernest Muçi vë në jetë një tjetër kryevepër, një gol fantastik që i dhuroi Trabzonspor një biletë për në finalen e Kupës. Ky nuk ishte një gol normal, por një perlë e vërtetë që vendos jo pak në “siklet” drejtuesit e Trabzonspor, në një kur janë të detyruar të marrin një vendim, nëse do të investojnë për të blerë kartonin e yllit kuqezi nga Beshiktash.

Goli i Muçit merr dhe më shumë peshë pasi erdhi në shtesë, në minutën e 92-të, ku me një goditje fantastike nga distanca tundi rrjetën duke bërë që tifozët e Trabzonspor të shpërthenin në festë. Pas ndeshjes, sulmuesi kuqezi nuk i fshehu emocionet për këtë gol të mrekullueshëm:

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, e vështirë, ashtu si të gjithë ndeshjet në transfertë. Objektivi ynë ishte të arrinim finalen e Kupës dhe ja arritëm. Po zhvillojmë një sezon të madh dhe tifozët e meritonin këtë finale”, u shpreh Muçi.

Në konferencë për shtyp ishte i pashmangshme dhe një pyetje në lidhje me të ardhmen: “Unë jam i lumtur këtu, por nuk di asgjë më shumë. Do të jetë një vendim i Trabzonsport, por mendoj se ka kohë deri më 20 maj. Jam i lumtur këtu, por të shohim se çfarë do të ndodh në të ardhmen”, u shpreh Muçi.