Thu, May 14, 2026

Tornado dhe breshër godasin Turqinë, të plagosur dhe dëme të shumta

Tornado dhe breshër godasin Turqinë, të plagosur dhe dëme të shumta
  • PublishedMay 14, 2026

Moti i keq ka përfshirë disa rajone të Turqisë, ku tornado të fuqishme dhe reshje intensive breshëri kanë shkaktuar dëme materiale dhe të plagosur në qytete të ndryshme.

Një nga fenomenet më të forta u regjistrua në Menemen të Izmirit, ku u formua një tornado e fuqishme e shoqëruar me breshër të dendur. Pamjet e ngjarjes u filmuan nga banorët lokalë dhe u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke treguar fuqinë e stuhisë që përfshiu zonën.

Sipas profesoreshës së gjeografisë në Universitetin Bakircai të Izmirit, Sermin Tagil, situata u favorizua nga temperaturat e larta të sipërfaqes së detit Egje, të cilat ishin 2 deri në 3 gradë mbi normalen sezonale. Ajo theksoi se kombinimi i ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me depërtimin e masave të ftohta nga veriperëndimi krijoi kushte ideale për zhvillimin e stuhive të forta dhe tornadove të vogla.

“Në ditët në vijim, përplasja e masave të ftohta me energjinë e akumuluar në atmosferë mund të sjellë stuhi të papritura dhe shumë të fuqishme”, u shpreh ajo për Anadolu Agency.

Ndërkohë, një tjetër tornado goditi distriktin Sungurlu në Çorum, duke shkaktuar dëme në fshatrat Oyaka dhe Kavsut. Katër persona mbetën të plagosur, ndërsa erërat e forta rrëzuan çati banesash, pemë dhe shtylla elektrike.

Fenomeni u regjistrua gjithashtu edhe në Kızılırmak të Çankırı, ku banorët dokumentuan momentet dramatike të formimit të tornadove.

Autoritetet turke kanë bërë thirrje për kujdes maksimal, pasi pritet që kushtet atmosferike të paqëndrueshme të vijojnë edhe në ditët në vijim.