Pas Ben Affleck, Jennifer Lopez zgjedh qetësinë… apo një dashuri të re?
Prej muajsh, rrjeti është pushtuar nga spekulime për një romancë të mundshme mes Jennifer Lopez dhe bashkë-yllit të saj në filmin Office Romance, Brett Goldstein. Thashethemet nisën vitin e kaluar, duke u përforcuar nga daljet e tyre publike dhe kimia e dukshme gjatë xhirimeve, duke bërë që shumë fansa të besonin se këngëtarja kishte lënë pas përfundimisht historinë me Ben Affleck.
Nga një mbrëmje në Broadway në New York, te raportimet se dy aktorët kalonin kohë së bashku edhe pas eventeve, e deri te deklaratat e Lopez që e cilësonte Goldstein si një nga bashkëpunëtorët më të mirë, gjithçka dukej se shkonte përtej një raporti profesional. Edhe paraqitjet e tyre në tapetin e kuq gjatë një eventi të Netflix shtuan më shumë dyshimet, ku Goldstein u pa duke e përqafuar Lopez me një afërsi që nuk kaloi pa u vënë re.
Megjithatë, burime pranë tyre kanë hedhur poshtë çdo zë për një lidhje romantike. Sipas tyre, raporti mes Lopez dhe Goldstein është thjesht profesional dhe miqësor. “Ata nuk janë në një lidhje dhe nuk po dalin bashkë. Madje, i shohin këto thashetheme si diçka argëtuese dhe pjesë të promovimit të filmit,” ka deklaruar një burim për mediat e huaja.
Filmi Office Romance, i cili pritet të publikohet më 5 qershor, sjell në ekran një histori dashurie mes personazheve të tyre, gjë që ka nxitur edhe më shumë spekulimet. Në të, Lopez interpreton një drejtuese të përkushtuar që bie në dashuri me një punonjës të ri, rol i luajtur nga Goldstein, i njohur edhe për suksesin e tij në serialin Ted Lasso.
Në fakt, admirimi i Goldstein për Lopez nuk është i ri. Ai e ka vlerësuar publikisht performancën e saj në filmin Hustlers vite më parë, çka ka bërë fansat të rikthejnë vëmendjen tek çdo detaj i marrëdhënies së tyre.
Edhe pse nuk ka një romancë të konfirmuar, burime të tjera sugjerojnë se Lopez nuk e ka problem që kjo zhurmë mediatike të ndihmojë në rritjen e profilit të Goldstein në industrinë e filmit. Sipas tyre, aktori është në një moment të rëndësishëm të karrierës dhe ky projekt mund ta vendosë atë në një tjetër nivel.
Ndërkohë, vetë Lopez duket se po shijon një periudhë të qetë në jetën personale. Pas ndarjes nga Ben Affleck, ajo ka deklaruar se ndihet më e lirë dhe më e lumtur se kurrë, duke mos pasur interes për të nisur një lidhje të re.
Megjithatë, pavarësisht divorcit, raporti mes saj dhe Affleck mbetet i mirë, sidomos për hir të familjes së tyre të zgjeruar. Ata vazhdojnë të kalojnë kohë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin në momente të rëndësishme.
Në fund, edhe pse kimia mes Lopez dhe Goldstein është e dukshme, gjithçka duket të jetë pjesë e magjisë së ekranit dhe strategjisë së promovimit. Në Hollywood, gjithsesi, siç thuhet shpesh: kurrë mos thuaj kurrë.
