EKSKLUZIVE/ Kjo është makina BMW e Zezë që përdorën vëllezërit Lika në plagosjen e policit në Shkozë
EKSKLUZIVE/ Kjo është makina BMW e Zezë që përdorën vëllezërit Lika në plagosjen e policit në Shkozë
Detaje të reja kanë dalë nga atentat me armë zjarri mbrëmjen e djeshme zonën e Shkozës, ku mbeti i plagosur një efektiv policie. Autorët, që sipas hetimeve paraprake lëviznin me një automjet tip BMW X5 me ngjyrë të zezë, dyshohet se kishin si objektiv 31-vjeçarin Klejdi Spaja.

Në fotot e siguruara nga InfoNews.al, shihet momenti kur fuoristrada afrohet pranë zonës ku ndodheshin Klejdi Spaja, efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku dhe një person i tretë. Pak çaste më pas është hapur zjarr në drejtim të tyre.
Objektiv i atentatit dyshohet të ketë qenë Spaja, ndërsa automjeti i tij tip Audi është përshkuar nga plumbat. Megjithatë, nga të shtënat mbeti i plagosur në të dyja këmbët efektivi i Komisariatit nr. 4, Anxhelo Kumaraku, i cili ndodhej jashtë shërbimit në momentin e ngjarjes.
Sipas policisë, në BMW-në e zezë udhëtonin dy vëllezërit Ali dhe Aldo Lika, të shpallur tashmë në kërkim. Hetimet paraprake tregojnë se njëri prej tyre ka qëlluar me armë automatike, ndërsa tjetri me pistoletë. Pavarësisht breshërisë së plumbave, 31-vjeçari Spaja nuk është prekur.
Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, por pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e tyre.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti mes Spajës dhe vëllezërve Lika lidhet me një borxh të pashlyer. Ndërkohë, policia ka arrestuar Klejdi Spajën për thyerje të masës së “arrestit në shtëpi”, e cila i ishte caktuar më herët për “armëmbajtje pa leje”.
Nga ana tjetër, efektivi Anxhelo Kumaraku është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor, pasi dyshohet se shoqërohej me një person që kishte thyer masën e sigurisë.
