EKSKLUZIVE/ Dosja Bajri, zbulohet POLICI që del me armë në përgjime
EKSKLUZIVE/ Dosja Bajri, zbulohet POLICI që del me armë në përgjime
Përfshirja e efektivëve të policisë në mbështetje të eksponentëve kriminalë del sërish në pah në dosjen e “Bajrave”. Nga sekuestrimi i telefonit celular të Izmir Sakicës, hetuesit kanë gjetur foto dhe video ku shfaqen armë të kalibrave të ndryshëm, si edhe pamje të personave që kryejnë qitje me armë zjarri.
Në materialet e administruara bie në sy edhe një person, i cili në dosjen hetimore përshkruhet si “i paidentifikuar”. Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për Mikel Kodrën, efektiv i patrullës së përgjithshme në Malësinë e Madhe.

Sipas të njëjtave burime, Mikel Kodra është nipi i Prek Kodrës. Pas identifikimit të tij në pamjet e sekuestruara, ai është thirrur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, por nuk është paraqitur.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e tij, por efektivi nuk është gjetur. Ndërkohë, pas publikimit të dosjes ku ai shfaqet në foto me Izmir Sakicën, Mikel Kodra nuk është paraqitur më në detyrë si oficer i patrullës së përgjithshme në Malësinë e Madhe dhe rezulton të ketë fikur edhe telefonin celular.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ndaj tij ka nisur një procedim, i cili po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme.
Edhe Prek Kodra rezulton në kërkim. Ai njihet si “snajperisti” i grupit të Suel Çelës, i dyshuar për planifikimin e atentatit ndaj Ardjan Çapjas.
