Fri, May 22, 2026

Pa objektivin Champions, erë revolucioni te Juventus, “lëkundet” edhe stoli i Spalletti-t

Pa objektivin Champions, erë revolucioni te Juventus, “lëkundet” edhe stoli i Spalletti-t
  • PublishedMay 22, 2026

Te Juventusi fryn erë revolucioni. Pas derbit vendimtar të së dielës kundër Torinos, që do të përcaktojë fatin e bardhezinjve në renditjen finale, në Torino pritet një takim shumë i rëndësishëm mes Luciano Spallettit dhe presidentit John Elkann. Në tavolinë nuk do të jetë vetëm e ardhmja e trajnerit, por edhe ajo e gjithë drejtuesve të klubit.

Megjithëse klima në Continassa është e tensionuar, pozitat e Spallettit nuk duken të rrezikuara. Përkundrazi, Elkann besohet se dëshiron t’i japë trajnerit italian çelësat e projektit të ri të Juventusit. Nga ana tjetër, Spalletti kërkon garanci konkrete për merkato dhe investime që skuadra të rikthehet konkurruese në Itali dhe Europë.

Vetëm një largim i papritur i vetë teknikut mund të ndryshojë skenarin. Në atë rast, emri favorit për pankinën bardhezi do të ishte Antonio Conte, një rikthim që do të ndizte menjëherë entuziazmin e tifozëve juventinë.

Ndërkohë, një tjetër çështje e nxehtë mbetet ajo e drejtuesve. Marrëdhënia mes Spallettit dhe administratorit Damien Comolli është ftohur ndjeshëm pas merkatos së janarit. Trajneri nuk e ka fshehur pakënaqësinë për mungesën e një sulmuesi qendre, kërkesë që sipas tij nuk u plotësua nga klubi.

Dhe pikërisht sulmi ka qenë problemi më i madh i Juventusit këtë sezon. Bardhezinjtë kanë krijuar pothuajse po aq raste sa Interi, por diferenca në gola është dramatike: 86 për zikaltërit, vetëm 59 për Juven. Një statistikë që tregon qartë mungesën e efikasitetit përpara portës.

Edhe afrimet e bujshme të verës, Jonathan David dhe Loïs Openda, nuk kanë arritur të bëjnë diferencën e pritur. Një dështim që mund t’i kushtojë shtrenjtë pikërisht Comollit, njeriut që i solli në Torino.

Megjithatë, para çdo vendimi për të ardhmen, Juventusi duhet të mendojë për fushën. Derbi i së dielës mbetet vendimtar: bardhezinjtë kanë nevojë për fitore dhe një kombinim rezultatesh për të mbajtur gjallë ëndrrën Champions League.