Sat, May 23, 2026

Titi i Fierit i arratiset policisë shqiptare, shkon në Athinë por…kapet i plagosur

Titi i Fierit i arratiset policisë shqiptare, shkon në Athinë por…kapet i plagosur
  • PublishedMay 23, 2026

Titi i Fierit i arratiset policisë shqiptare, shkon në Athinë por…kapet i plagosur

Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja me armë zjarri këtë të shtune në zonën e njohur të Mikrolimano, në Athinë, ku një shtetas shqiptar u plagos nga policia gjatë një përpjekjeje për t’u arratisur dhe për të qëlluar efektivët.

Burime bëjnë me dije se i plagosuri është identifikuar si Alesio Xhelo, 41 vjeç, nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi” dhe më parë si Astrit Hasani. Ai u transportua menjëherë në spitalin “Attikon” në Athinë, por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Në vendngjarje, policia gjeti tre armë zjarri dhe gjashtë granata që dyshohet se i përkisnin Xhelos.

I njohur ne Greqi si “Titi”, 41-vjeçari rezulton person me precedentë të rëndë penalë. Nuk dihet se si Xhelo ka përfunduar në Greqi, pasi të paktën deri vitin e kaluar ai ndodhej në “Arrest shtëpie” në Fier me mbikëqyrje 24 orë nga FNSH, nën akuzat “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” e mbetur në tentativë.

Madje në 30 mars 2025, ai ishte arrestuar pasi kishte kanosur duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, i cili ishte në shërbim, në mbikëqyrje të këtij shtetasi.

Xhelo ishte izoluar në banesën e tij në Fier pasi ishte person i shpallur në kërkim në Greqi për akuzat e mësipërme. Ai ishte arratisur nga burgu i Petro Ralli në Greqi në qershor 2019 bashke më dy të burgosur të tjerë, duke arritur të marrë peng një gardian.

Ai ndodhej në burg, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një greku dhe i përfshirë në 8 shkëmbime zjarri me policinë në Greqi, si dhe në dhunimin e gruas se një diplomati të huaj gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre dhe në rrëmbimin e një të riu që e liroi pasi mori shumë para nga familja e tij.

Pas arratisjes, ai mbërriti në Shqipëri dhe në tetor 2019 u arrestua në Vlorë me një pistoletë pa leje. Drejtësia greke dërgoi dosjen e tij në Shqipëri, dhe gjykata vendosi ndaj tij masën “Arrest shtëpie” për akuzat që kërkohej në Greqi. Këtë masë ai e kryente në banesën e tij në Fier nën mbikëqyrjen e FNSH.