Një hap larg titullit WBC, Hadribeaj flet si i pamposhtur: Ëndërroja këtë moment, jam këtu falë punës dhe besimit
Nga Oberhauseni i Gjermanisë, vjen një lajm i madh për sportin shqiptar: Ermal Hadribeaj, i njohur si “The Albanian Sniper”, ka triumfuar bindshëm ndaj francezit Balary Samake, duke fituar duelin “WBC World Final Elimination Fight”. Një sukses i rëndësishëm që e afron edhe më shumë me objektivin madhor: titullin botëror të WBC.
Atmosfera në pallatin e sportit ishte elektrizuese, ndërsa qindra tifozë shqiptarë në tribuna ndoqën me emocion çdo goditje të kampionit nga Tirana. Hadribeaj dominoi me disiplinë taktike dhe saktësi karakteristike, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe pjekurinë në ring. Ai arriti të fitojë duelin me pikë, ndaj boksierit francez, me gjyqtarët e sfidës të cilët ishin në unison në favor të Hadribeaj.
Me këtë fitore, boksieri shqiptar ruan rekordin e tij të pamposhtur në boksin profesionist dhe forcon statusin si një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Në karrierën e tij, ai ka grumbulluar disa tituj të rëndësishëm, duke u shndërruar në një prej krenarive të sportit kuqezi, e duke konfirmuar edhe njëherë tjetër traditën e mire në boks, sidomos në vitet e fundit, nga ana e sportistëve kuqezi.
Pas triumfit vetë heroi kuqezi Hadribeaj komentoi suksesin e tij: Jam i lumtur, dua t’i falenderoj të gjithë tifozët kuqezi, trajnerin tim, të gjiithë ata që më besuan dhe më mbështetën. Ndoshta dikush nuk do ta kishte besuar, por ja ku jam, falë punës së vazhdueshme dhe besimit, do të vijojë të ndjek ëndrrën time, për të garuar titullin botëror në WBC.
Dueli i së shtunës, i pritur me interes të madh nga publiku, e çon Hadribeajn një hap larg majës së boksit botëror. Tani, sytë janë nga sfida e radhës – potencialisht për kurorën e WBC – ku “Snajperi Shqiptar” synon të vulosë ëndrrën e madhe.
