Sun, May 24, 2026

Princi William ndez aludimet/ A do të jetë familja mbretërore në dasmën e Taylor Swift dhe Travis Kelce?

Princi William ndez aludimet/ A do të jetë familja mbretërore në dasmën e Taylor Swift dhe Travis Kelce?
  • PublishedMay 24, 2026

Princi William ka tërhequr vëmendjen së fundmi pas një deklarate me humor, por që ka ndezur spekulime rreth një prej dasmave më të përfolura të showbiz-it ndërkombëtar, asaj të Taylor Swift dhe Travis Kelce.

Princi i Uellsit u shfaq të premten, më 22 maj, në emisionin radiofonik britanik Heart Breakfast, ku zhvilloi një bisedë të lehtë dhe spontane me prezantuesit Jamie Theakston dhe Amanda Holden. Gjatë intervistës, ai nuk i shpëtoi pyetjeve për çiftin e famshëm Taylor Swift dhe Travis Kelce, të cilët prej muajsh janë në qendër të vëmendjes mediatike.

Mes humorit, moderatorët e pyetën William nëse kishte marrë një ftesë për dasmën e shumëpërfolur të çiftit. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por mjaftueshëm intriguese për të nxitur reagime:

“Nuk do të komentoj. Shpresoj që të ketë një ftesë diku, por do ta shohim.”

Kjo deklaratë la të hapura të gjitha mundësitë dhe u interpretua nga shumë fansa si një përgjigje diplomatike, por edhe me nota humori, duke shtuar spekulimet rreth pranisë së mundshme të familjes mbretërore në një event të tillë.

Momenti u bë edhe më i ngrohtë kur Princi William zbuloi se kishte një kërkesë muzikore të veçantë për fëmijët e tij. Ai kërkoi këngën “Opalite”, duke treguar se Princesha Charlotte dhe Princi Louis janë fansa të Taylor Swift. Sipas tij, Charlotte është veçanërisht e apasionuar pas këngëtares amerikane.

Kjo nuk është hera e parë që Princi William shfaq publikisht simpatinë e tij për Taylor Swift dhe kulturën e saj pop.

Në qershor të vitit 2024, ai mori pjesë në një nga koncertet e turneut të famshëm Eras Tour në Londër, i shoqëruar nga fëmijët e tij, Princi George dhe Princesha Charlotte. Ajo paraqitje tërhoqi vëmendje të madhe, pasi përkoi edhe me ditëlindjen e tij.

Më vonë, William e përshkroi përvojën si “të pabesueshme”, duke treguar se atmosfera në stadium ishte aq elektrizuese, sa dukej sikur dyshemeja vibronte nga energjia e turmës dhe vallëzimi i fansave.

Pas koncertit, ai dhe fëmijët e tij patën mundësinë të takonin Taylor Swift dhe partnerin e saj Travis Kelce, moment që u komentua gjerësisht në rrjet dhe u pa si një ndërthurje e rrallë mes familjes mbretërore dhe botës së showbiz-it.

Ndërkohë, Taylor Swift dhe Travis Kelce, të cilët njoftuan fejesën e tyre gushtin e kaluar përmes një postimi të përbashkët në Instagram, ende nuk kanë zbuluar detaje zyrtare për ceremoninë e dasmës.

Megjithatë, pas deklaratës së fundit të Princit William, rrjeti ka nisur të aludojë nëse familja mbretërore britanike mund të jetë pjesë e listës së të ftuarve në një nga dasmat më të pritshme të momentit.