Tue, May 26, 2026

Rinovon edhe kapiteni Barjamaj, “spastrohet” sulmi i Vorës

Rinovon edhe kapiteni Barjamaj, “spastrohet” sulmi i Vorës
  • PublishedMay 26, 2026

Te Vora po zhvillohet java e fundit stërvitore për futbollistët, të cilët më pas do të marrin pushimet. Megjithatë, presidenca në bashkëpunim të ngushtë me menaxherët dhe stafin teknik po punon intensivisht për formatimin e skuadrës së re para 20 qershorit, datë kur pritet të nisë faza përgatitore për sezonin e ardhshëm.

vora

Lëvizjet e para kanë nisur menjëherë pas përfundimit të kampionatit, kur Vora siguroi mbijetesën, duke bërë transparente listën e lojtarëve që do të rinovojnë dhe atyre që do të largohen. Synimi është që skuadra të marrë formën bazë përpara nisjes së merkatos intensive të verës. Deri tani klubi ka zyrtarizuar rinovimin me katër futbollistë: Portierin Ruçi dhe mbrojtësit Dajan Shehi, Jurgen Vrapi dhe Henri Zuna. Pjesë e projektit mbetet edhe Repaj, i cili ka kontratë deri në vitin 2027 me klubin vorak. Klubi ka lënë të hapur mundësinë edhe për afrime cilësore, me qëllim rritjen e konkurrencës në ekip.

Paralelisht me rinovimet, Vora ka nisur edhe procesin e largimeve, ku deri tani janë konfirmuar pesë futbollistë. Ajo që bie më shumë në sy është largimi i tre sulmuesve kryesorë. I pari është Irgi Kasalla, golashënuesi më i mirë i Vorës me 13 gola, nga shitja e të cilit klubi pritet të mbushë arkat. Një tjetër largim është ai i Manfredas Ruzgis, si dhe Patrik Bardhi. Klubi ka ndërprerë bashkëpunimin edhe me mesfushorët shkatërrues Xhuljo Tabaku dhe Enis Fazllagiç.

Rinovon Barjamaj- Lëvizja më e fundit te Vora ishte rinovimi me mesfushorin Mario Barjamaj, i cili mbajti shiritin e kapitenit në 17 ndeshje. Klubi e zyrtarizoi marrëveshjen përmes një postimi në rrjetet sociale: “Vora dhe Mario Barjamaj do të vijojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm. Mesfushori, i cili ishte një nga shtyllat kryesore të ekipit gjatë sezonit që lamë pas, do të vazhdojë të japë kontributin e tij me fanellën e Vorës edhe në sezonin e ri. Me qetësinë, vizionin dhe cilësinë e tij në mesfushë, Mario luajti një rol të rëndësishëm në sukseset e skuadrës, duke qenë një pikë reference për ekipin gjatë gjithë sezonit. Jemi të lumtur që do ta kemi sërish pjesë të familjes sonë edhe për sezonin që vjen. Suksese Mario!”