Wed, May 27, 2026

“Jetoj jashtë dhe humba punën”, pendesa e mërgimtarit që kërcënoi Alaudin Hamitin

“Jetoj jashtë dhe humba punën”, pendesa e mërgimtarit që kërcënoi Alaudin Hamitin
  • PublishedMay 27, 2026

Alaudin Hamiti ka qenë në qendër të një rasti që përfundoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi mërgimtari Liman Berisha, i cili e kishte kërcënuar publikisht moderatorin, ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendesë para trupit gjykues.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga mediat në Kosovë, Berisha është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të kanosjes. Para shpalljes së vendimit, ai kërkoi falje publike dhe u shpreh i penduar për gjithçka kishte ndodhur.

“Ndihem fajtor dhe shprehi pendesë për këtë që kam thënë, unë prej atij incizimi nuk kam pasur kurrfarë të keqe me Alaudinin, kjo është hera e parë që po gjykohem dhe premtoj 100 për qind se nuk do të kryej vepër tjetër dhe Alaudin Hamitit i kërkoj falje publike dhe familjes së tij”, deklaroi ai në sallën e gjyqit.

Mërgimtari, i cili jeton dhe punon në Itali, tha gjithashtu se rasti i ka sjellë pasoja edhe në jetën personale. “Unë jetoj jashtë dhe kam humbur punën për çfarëdo që ka jam në gjendje me ardh prej atjehit edhe një herë kërkoi falje”, u shpreh Berisha.

Sipas dosjes së Prokurorisë, kërcënimet ndaj moderatorit ishin bërë përmes Facebook-ut dhe mesazheve zanore në nëntor të vitit 2024. Në një prej mesazheve ai i drejtohej Hamitit me fjalë të rënda dhe kërcënuese, duke përmendur edhe ish-banorin e BBVK-së, Edin.

Ndërkohë, avokatja e moderatorit, Blinera Osmani, deklaroi se kërcënimet kishin ndikuar seriozisht në jetën e përditshme të Alaudin Hamitit, duke i shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe kufizim të lëvizjeve të tij dhe familjes.