Rosie O’Donnell pranon facelift-in: “Kushtoi më shumë se makina ime”
Rosie O’Donnell ka zbuluar se iu nënshtrua një ndërhyrjeje estetike në fillim të këtij viti, pavarësisht se për shumë vite kishte qenë kundër operacioneve plastike. Ish-prezantuesja e njohur televizive tregoi në një postim në Substack se bëri një “lower deep plane facelift” në muajin janar, një procedurë që sipas saj “kushtoi më shumë para sesa kam paguar ndonjëherë për një makinë”.
64-vjeçarja pranoi se vendimi nuk ishte i lehtë, pasi prej kohësh e konsideronte lifting-un si një “tradhti ndaj feminizmit dhe plakjes natyrale”. “Gjithmonë kam qenë dikush që do të thosha kurrë, kurrë nuk do ta bëja”, shkroi ajo.
Megjithatë, pas humbjes së rreth 50 kilogramëve, mendimi i saj nisi të ndryshonte. O’Donnell tha se në disa momente ndihej sikur pranimi absolut i vetes “fillonte të tingëllonte si gënjeshtër”.
Një ndikim të madh në vendimin e saj pati edhe vajza 13-vjeçare, Clay, e cila e këshilloi të mos e bënte ndërhyrjen. “Vajzat e reja të admirojnë”, i kishte thënë ajo. Ndërsa një tjetër fjali e vajzës e preku thellë moderatoren: “Nuk do të mund të të respektoja nëse do ta bëje”.
Pavarësisht dyshimeve dhe krizës personale që përjetoi, Rosie vendosi të vazhdonte me procedurën, duke theksuar se nuk dëshironte të binte në obsesionin e ndryshimeve të vazhdueshme estetike.
Ajo tregoi me humor se askush nuk e kishte vënë re ndërhyrjen. “Asnjë person. As miqtë, as të panjohurit. Kalova një krizë ekzistenciale feministe dhe rezultati është… zero”, u shpreh ajo.
Në fund, aktorja tha se ende po përballet me një “ndjenjë mashtrimi”, por ndihet mirënjohëse për jetën dhe lirinë për të bërë zgjedhjet e saj.
