Aktori Keanu Reeves del në mbrojtje të regjisorit që dyshohet se përvetësoi fondet e Netflix
Aktori i njohur Keanu Reeves ka vendosur të flasë publikisht në mbështetje të regjisorit Carl Rinsch, i cili është shpallur fajtor për përvetësimin e miliona dollarëve të destinuara për një projekt të Netflix.
Sipas mediave amerikane, Reeves i ka dërguar një letër gjykatës federale në New York, ku ka kërkuar që ndaj regjisorit të tregohet “mëshirë dhe mirëkuptim” gjatë vendimit për dënimin e tij.
Carl Rinsch, i njohur për bashkëpunimin me Reeves në filmin “47 Ronin”, u shpall fajtor në fund të vitit 2025 për mashtrim financiar dhe pastrim parash. Hetimet zbuluan se ai kishte përdorur rreth 11 milionë dollarë të dhëna nga Netflix për prodhimin e serialit “White Horse”, por fondet u shpenzuan për luks personal dhe investime të rrezikshme.
Prokurorët pretendojnë se paratë janë përdorur për makina luksoze, ora të shtrenjta, mobilie, pagesa kartash krediti dhe investime në kriptovaluta, ku një pjesë e madhe e shumës u humb.
Në letrën e tij, Keanu Reeves ka treguar se e njeh prej vitesh regjisorin dhe e konsideron një artist shumë të talentuar. Aktori shkruan se, megjithëse nuk justifikon veprimet e tij, beson se Carl Rinsch është një person që shpesh dëmton vetveten për shkak të ambicieve të mëdha artistike.
Reeves kujtoi gjithashtu se kishte parë një version të papërfunduar të serialit “White Horse”, të cilin e cilësoi si një projekt kreativ dhe vizionar.
Dënimi i regjisorit pritet të shpallet në fund të qershorit, ndërsa Netflix po kërkon rikthimin e miliona dollarëve të humbur.
