Cllevio flet pas daljes nga GJKKO: “Jemi sha me rob, siç shahen aty në Parlament”
Personazhi i njohur i TikTok-ut, Cllevio, u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku ishte thirrur për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Pas daljes nga ambientet e gjykatës, ai dha një prononcim për mediat, ku komentoi jo vetëm mbi çështjen për të cilën ishte paraqitur, por edhe mbi konfliktin e tij të bujshëm me reperin Noizy.
Cllevio u përpoq ta minimizonte situatën mes tyre, duke deklaruar se gjithçka ka qenë vetëm në nivel verbal dhe jo fizik. “Jemi sha me rob, siç shahen aty në Parlament. Nuk je sha ti me rob?”, u shpreh ai me ironi para gazetarëve.
Ai sqaroi më tej se nuk i ka kërkuar ndihmë Laert Haxhiut për konfliktin me reperin, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një përplasje personale dhe “artistike”.
Në fund të deklaratës së tij, Cllevio bëri edhe një koment që shkaktoi reagime dhe të qeshura mes të pranishmëve pranë gjykatës. “I kam kërkuar Ramës të më pajtojë se e ka të vetin, por nuk më ka kthyer përgjigje”, tha ai.
Ndërkohë, mësohet se seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut është shtyrë për më 3 qershor, ndërsa dëshmia e Cllevios pritet të jepet më 10 qershor.
