Thu, May 28, 2026

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për lirimin nga qelia

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për lirimin nga qelia
  • PublishedMay 28, 2026
Erion Veliaj mbërriti në Gjykatën Kushtetuese me një furgon të policisë së burgjeve. Foto: LSA.

Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten më 28 maj kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, me një masë sigurimi më të butë si “garanci pasurore” ose “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Kërkesa e Veliajt për lehtësimin e masës u regjistrua pranë Gjykatës së Lartë më 6 maj. Pas shqyrtimit të kërkesës, u vendos lënia në fuqi e vendimit të Apelit të Posaçëm, e cila vendosi më parë që Veliaj të vazhdonte paraburgimin.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese i datës 25 maj, i hapi rrugën rishqyrtimin në Gjykatën e Lartë të rekursit të Veliajt ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës 13 mars 2025. Gjykata Kushtetuese e riktheu çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar arsyetim lidhur me proporcionalitetin e saj në drejtim të funksionit të Veliajt si kryebashkiak, në drejtim të ndikimit që ka masa aktuale në të drejtat e tij kushtetuese si i zgjedhur.

Po ashtu, u kërkua të arsyetohet lidhur me mundësinë e cënimit të dinjitetit përmes qëndrimit në kafazin e xhamtë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore.

Më 25 shtator 2025, Veliaj arriti të fitonte në Gjykatën Kushtetuese betejën për shkarkimin e tij nga funksioni si kryetar i Bashkisë së Tiranës, pas një procedure të iniciuar nga kryeministri Edi Rama.

Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe ka nisur një betejë gjyqësore kundër prokurorit të tij në Gjykatën Administrative.