Fri, May 29, 2026

Dyshime mbi ministrin Salla/ Pazaret për tenderin 11 mln € në Konispol

Dyshime mbi ministrin Salla/ Pazaret për tenderin 11 mln € në Konispol
  • PublishedMay 29, 2026

Dyshime mbi ministrin Salla/ Pazaret për tenderin 11 mln € në Konispol

Një mori firmash të mëdha të ndërtimit, nga ato që fitojnë çdo javë punë publike në të gjithë Shqipërinë, disa prej të cilave janë shpallur edhe investitorë strategjikë, të tjera që kanë fituar koncesione, apo pronarët e tyre me lidhje të forta politike, kanë krijuar një kartel të mirëfilltë, duke rënë dakort në seri të mos bënin ofertë në një prej procedurave më të majme të shpallura kohët e fundit.

Në “lojë” janë plot 11 milionë euro, të akorduara nga Banka Botërore, teksa përfitues është ministria e Bujqësisë dhe vetë shteti shqiptar, i cili ka kërkuar prej shumë vitesh të ndërtojë një rrjet të mirëfilltë vaditje në Konispol, për të çuar ujë në plantacionet e mëdha të agrumeve në atë zonë. Por, “marrëveshja” mes këtyre firmave ka sjellë që në këtë procedurë të mos ketë garë, duke ngjallur hije të mëdha dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar.

Të dhënat e analizuara nga redaksia jonë flasin se plot 10 firma kanë tërhequr dokumentet e tenderit nga Banka Botërore, selia në Shqipëri, për të marrë pjesë në këtë procedurë, por që çuditërisht vetëm njëra prej tyre ka bërë ofertë. Nëse ky tender do të shpallej nga institucionet shtetërore, atëherë këto firma do të “shqyenin” njëra-tjetrën, do të fusnin mik apo mikesha për të marrë çdo kacidhe, duke përdorur çdo mjet për të arritur te ato para’.

Por, “frika” e një auditimi të Bankës Botërore ka sjellë që këto firma të tërhiqen paraprakisht, duke mos dashur të bëjnë ofertë, pavarësisht se në tryezat e tyre të punës është e gjithë dosja e tenderit. Këto veprime kanë ngjallur hije të mëdha dyshimi se ka një marrëveshje mes palëve, marrëveshje që në gjuhën e tenderave quhen “kolluzion” apo “kartel”, ku firmat merren vesh me njëra tjetrën që të mos bëjnë ofertë apo t’i hapin rrugë vetëm njërës prej tyre, çka do të sillte që firma që mori pjesë të fitonte çdo kacidhe të akorduar.

Një “lojë” që turpëron vetë shtetin shqiptar në sytë e organizmave të huaj, të cilat duhet të kenë dijeni, por kur ky kartel apo kjo marrëveshje bëhet me paratë e tyre, atëherë diçka duhet të vijë erë. Projekti i Mursisë është një nga tenderët më të rëndësishëm të infrastrukturës të financuar nga Banka Botërore, specialistët e së cilët duhet të jenë çuditur nga fakti që plot 10 kompani ndërtimi kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit gjatë muajve shkurt–mars 2026. Redaksia jonë ka mësuar se, mes firmave që kanë tërhequr dokumente figurojnë firma si Fusha, Gjoka Konstruksion, Be-Is, AlbStar, Albtiefbau, Strabag AUT dhe kompani të tjera me eksperiencë në projekte publike të përmasave të mëdha. “Megjithatë, në fund të procesit vetëm një bashkim operatorësh ekonomikë paraqiti ofertë ‘Senka’ & ‘G.P.G Company’” thanë burimet nga Banka Botërore.

Specialistët e Bankës Botërore duhet të jenë shtangur dhe të kenë menduar se çfarë i largoi kompanitë, në një kohë që vetë ato i tërhoqën dokumentet, teksa vlera e tenderit ishe e konsiderueshme dhe veprimet e para kanë qenë një tregues tejet pozitiv. Një pjesë e kompanive që tërhoqën dokumentacionin konsiderohen ndër më të mëdhatë në treg dhe me kapacitete të konsoliduara infrastrukturore. Janë nga këto firma të angazhuara njëkohësisht në disa kontrata publike me volum të lartë financimi.

Redaksia jonë ka mësuar se i gjithë ky proces ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit nga Banka Botërore të raportit të vlerësimit teknik dhe financiar. Sipas dokumentacionit administrativ, më 21 maj 2026 Banka Botërore ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me metodologjinë e vlerësimit teknik, mungesën e një nënshkrimi nga një anëtar i komisionit në një seksion të raportit, mospërputhje në numerimin e faqeve të dokumentacionit si dhe nevojën për raport të plotë mbi kapacitetet teknike, financiare dhe eksperiencën e operatorit të vetëm ofertues.

“Vetë fakti që Banka Botërore kërkoi sqarime shtesë mbi disa elemente të procesit tregon se procedura po i nënshtrohet një verifikimi të shtuar. Një nga elementet më interesante të procesit lidhet me vlerësimin teknik të ofertës së vetme. JV ‘Senka’ & ‘G.P.G’ është vlerësuar me 38.5 pikë nga maksimumi prej 50 pikësh në kriteret teknike. Banka Botërore ka kërkuar sqarim nëse ky rezultat konsiderohet kalues apo jo” thanë burime nga Ministria e Bujqësisë. Sipas tyre, dokumentet e tenderit nuk parashikojnë prag minimal teknik eliminues. Pikët teknike përdoren vetëm për kombinimin final me ofertën financiare dhe jo si kriter skualifikimi më vete.

Por, kjo do të thotë se, në mungesë të konkurrencës reale në një procedurë 11 milionë euro, operatori i vetëm është vlerësuar mbi bazën e përmbushjes së kritereve minimale dhe jo përmes një gare krahasuese me oferta të tjera. Ekspertë të prokurimit publik e konsiderojnë një situatë të tillë si “indikator risku konkurrues”, edhe kur nuk ekzistojnë prova për shkelje procedurale apo marrëveshje të ndaluara. Ka dyshime se kemi të bëjmë me një koordinim informal të tregut.

Por, çfarë do të ndodhë me këtë tender? Redaksia jonë ka mësuar se aktualisht pritet opinioni përfundimtar i Bankës Botërore mbi raportin e vlerësimit të kombinuar. “Nëse raporti miratohet, operatori i vetëm ofertues do të ftohet për dorëzimin e sigurimit të kontratës dhe më pas për nënshkrimin e kontratës së punimeve” thanë të njëjta burime. Por përtej vijimit formal të procedurës, pyetja që mbetet pa përgjigje është më e madhe: Si është e mundur që një tender 11 milionë euro, me 10 kompani të interesuara, përfundoi me vetëm një ofertë?/Prapaskena