Dumfries në Madrid, e zbulon…Koeman, Reali piketon edhe Calafiori-n
Një video e Jose Mourinho-s me fanellën e Real Madrid, duke mbështetur kandidaturën e Florentino Perez për president, ka bërë xhiron në rrjetet, por nga Portugalia bëjnë me dije se “Speciali” nuk ka bërë asnjë fushatë pro Perez, por video ka qenë me inteligjencë artificiale. Pavarësisht këtij detaji, po nga Portugalia, e përditshmja Record zbulon se Perez e ka mbyllur prej kohësh çështjen e trajnerit të ri, ai është Jose Mourinho, madje insistimi i Perez është aq i fortë për të rikthyer portugezin në Madrid sa do të paguajë 15 milionë euro në arkën e Benfikës, kjo pasi është i detyruar ta prezantojë vetëm pasi të kenë përfunduar zgjedhjet për president.
Me bekimin e Jose Mourinho-s, Reali mbylli edhe transferimin e parë për këtë merkato vere, Denzel Dumfries. Për të bërë publike këtë lëvizje mendoi trajneri i Holandës, Ronald Koeman, me këtë të fundit që i dha leje të largohet nga grumbullimi i ekipit përfaqësues për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore në Madrid: “Nuk e di nëse ky transferim është mbyllur, por nëse ka dikush që e meriton është pikërisht ai. Do të kisha preferuar që të transferohej te Barcelona”, e mbylli reagimin e tij Koeman duke buzëqeshur.
Jo vetëm Dumfries, gjithnjë me bekimin e Mourinho-s, Real Madrid do të hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e Riccardo Calafiorit. Qendërmbrojtësi “azzurr” është një njohje e vjetër e Mourinho-s pasi të dy kanë punuar së bashku te Roma. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë të arrijnë te Calafiori pasi italiani është një nga pikat kyçe tek Arsenal, një lojtar që mbylli sezonin me 36 ndeshje në total.
