Transfertat, “thembra e Akilit” të Vllaznisë në sezonin që u mbyll
Sezoni 2025-26 i Superiores la pas shumë diskutime për Vllazninë, një skuadër që arriti të qëndrojë mes ekipeve më të mira të kampionatit, por që vuajti ndjeshëm në ndeshjet larg “Loro Boriçit”.
Pikërisht paraqitjet në transfertë rezultuan një nga pikat më të dobëta të kuqebluve gjatë këtij edicioni, duke ndikuar jo pak në objektivat madhorë të skuadrës shkodrane. Statistikat flasin qartë. Në 18 ndeshje të zhvilluara larg Shkodrës, ekipi i drejtuar nga Edi Martini grumbulloi vetëm 19 pikë, një bilanc që e rendit si skuadrën me performancën më të dobët në transfertë mes katër ekipeve të “Final 4”.
Në këto përballje, Vllaznia realizoi vetëm 14 gola, ndërsa pësoi 17, shifra që tregojnë vështirësitë e vazhdueshme për të ruajtur vazhdimësinë dhe efikasitetin jashtë fushës së saj. Katër ishin fitoret e marra në transfertë gjatë gjithë sezonit. Shkodranët triumfuan ndaj Bylisit me rezultatin 0-1, ndaj Dinamos 0-2, kundër Partizanit 0-2 dhe përballë Teutës me shifrat 0-1. Suksese të rëndësishme, por që mbetën të pamjaftueshme për të ndërtuar një ecuri më të qëndrueshme larg shtëpisë.
Nga ana tjetër, Vllaznia regjistroi plot shtatë barazime në transfertë. Kuqeblutë ndanë pikët me Tiranën, Egnatian në dy raste, Teutën, Vorën në dy ndeshje si dhe Partizanin. Megjithatë, numri i madh i barazimeve nuk arriti të kompensojë mungesën e fitoreve, ndërsa shpesh skuadra humbi mundësinë për të marrë pikë të plota në takime ku kishte treguar potencial për më shumë.
Bilanci kompletohet me shtatë humbje, një tjetër tregues i vështirësive që Vllaznia hasi gjatë ndeshjeve jashtë fushe. Në një kampionat ku diferencat mes skuadrave kryesuese ishin minimale, rezultatet në transfertë bënë shpesh diferencën. Për këtë arsye, nëse shkodranët synojnë të rikthehen seriozisht në garën për titull sezonin e ardhshëm, përmirësimi i ndjeshëm i performancës larg “Loro Boriçit” pritet të jetë një nga prioritetet kryesore të stafit teknik dhe drejtuesve të klubit.
