Fri, Jun 5, 2026

Samir Mane, vila në Rolling Hills dhe ligji i minierave, pse u akuzua Ilir Meta

Samir Mane, vila në Rolling Hills dhe ligji i minierave, pse u akuzua Ilir Meta
  • PublishedJune 5, 2026

DOSJA/ SPAK nxjerr hetimet: Samir Mane, vila në Rolling Hills dhe ligji i minierave, pse u akuzua Ilir Meta

Sipas dosjes hetimore të siguruar, SPAK ka arritur në përfundimin se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kishin si qëllim blerjen normale të vilës nr.103 në kompleksin rezidencial Rolling Hills, por përfitimin e saj si shpërblim për ndërhyrjet dhe ndikimin e ushtruar në favor të interesave ekonomike të biznesmenit Samir Mane.

Prokuroria argumenton se ekziston një seri faktesh që, sipas saj, provojnë marrëveshjen korruptive mes palëve. Së pari, punimet në vilë nisën sipas kërkesave dhe porosive të Monika Kryemadhit, megjithëse nuk ekzistonte asnjë kontratë shitjeje, as kontratë sipërmarrjeje dhe asnjë marrëveshje formale për blerjen e pronës.

Në dosje rezulton se për muaj me radhë u angazhuan arkitektë, projektues, specialistë të arredimit dhe persona të tjerë për punime në vilën nr.103, ndërsa Monika Kryemadhi komunikonte vazhdimisht për detajet e projektit, pishinën, garderobat, kuzhinën, sistemin e kondicionimit dhe arredimin e ambienteve.

SPAK vëren gjithashtu se vetë Meta dhe Kryemadhi shfaqnin shqetësim që pronësia reale e vilës të mos bëhej publike. Një nga elementët që prokuroria konsideron domethënës është fakti se punimet u ndërprenë menjëherë pasi Ilir Meta u informua se persona të tretë kishin marrë dijeni për vilën dhe lidhjen e tij me të.

Në komunikimet e sekuestruara, Monika Kryemadhi urdhëron ndërprerjen e menjëhershme të çdo pune pasi, sipas saj, ambasadori grek në Tiranë i kishte thënë Ilir Metës se do të ishin komshinj, shkruan MaShqip. Sipas SPAK-ut, ky reagim tregon jo heqje dorë nga përfitimi, por frikën se marrëveshja ishte zbuluar.

Një tjetër element që rëndon pozitën e çiftit Meta-Kryemadhi është fakti se vila dhe investimet e kryera në të nuk janë deklaruar asnjëherë në formularët e deklarimit të pasurisë, qoftë si pasuri e përkohshme, qoftë si investim apo interes ekonomik.

Po ashtu, prokurorët evidentojnë mospërputhje të shumta mes deklarimeve të Samir dhe Eva Mane dhe të dhënave të nxjerra nga ekspertimi kompjuterik i telefonave. Sipas dosjes, dëshmitë e tyre bien ndesh me mesazhet, emailet, takimet dhe komunikimet e dokumentuara gjatë hetimit.

SPAK i kushton rëndësi të veçantë edhe episodit të ligjit minerar. Sipas dosjes, në ditën kur po diskutoheshin ndryshimet në ligjin “Për Sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”, Samir Mane i shkruan Monika Kryemadhit se drafti kishte ndryshuar nga dakordësia e mëparshme dhe shpreh shqetësimin se “LSI kishte ndërhyrë për servitutet”.
Përgjigjja e Monika Kryemadhit ishte e shkurtër: “Po e rregulluam”.

Pak më vonë, sipas dosjes, projektligji u tërhoq për rishqyrtim. Për prokurorinë, ky komunikim lidhet drejtpërdrejt me interesat ekonomike të kompanive të lidhura me Samir Manen dhe konsiderohet një nga provat që mbështesin akuzën.
Në përfundim, SPAK konkludon se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë pranuar premtimin për përfitimin e një vile në Rolling Hills në këmbim të ndikimit të tyre politik dhe institucional në favor të Samir Manes.

Sipas prokurorisë, veprimet e dyshuara në favor të biznesmenit përfshijnë: ndërhyrjet për ndryshimet në ligjin minerar; ndërhyrjet pranë AKEP-it në favor të kompanisë Plus Communications; ndërhyrjet pranë Zyrës së Përmbarimit dhe përmbaruesit Saimir Xhuglini; përdorimin e ndikimit politik si deputetë dhe drejtues të LSI-së pranë institucioneve publike.

Për këtë arsye, SPAK ka ngritur ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit akuzën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Prokuroria thekson se, sipas ligjit penal shqiptar, korrupsioni konsiderohet i konsumuar jo vetëm kur përfitimi merret realisht, por edhe kur pranohet ose kërkohet premtimi për një përfitim të parregullt.

Në dosje thuhet se fakti që Meta dhe Kryemadhi nuk e morën përfundimisht vilën nuk e zhbën veprën penale, pasi sipas SPAK-ut, marrëveshja korruptive ishte realizuar që në momentin kur ishte pranuar premtimi për përfitimin e saj.

Pikërisht mbi këtë bazë, SPAK argumenton se vila nr.103 në Rolling Hills përbën përfitimin e parregullt që do t’u jepej Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në këmbim të veprimeve dhe ndërhyrjeve të kryera në favor të interesave ekonomike të biznesmenit Samir Mane.