Thu, Jun 11, 2026

“10 vjet nga EURO 2016”, një dokumentar që rikthen ëndrrën kuqezi

“10 vjet nga EURO 2016”, një dokumentar që rikthen ëndrrën kuqezi
  • PublishedJune 11, 2026

11 qershori është një nga ditët më të rëndësishme për futbollin shqiptar, për shkak se në këtë datë është regjistruar një nga momentet më kulminante, si pjesëmarrja historike në finalet e një kampionati europian.

Dhjetë vjet pas pjesëmarrjes historike, FSHF TV sjell një dokumentar me rrëfimet dhe emocionet e brezit që shkroi faqen më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Në përvjetorin e parë dyshifror të Euro 2016, projekti rikthen pas në kohë rrugëtimin e Kombëtares drejt Francës, nga momentet më të vështira e deri te suksesi që bashkoi shqiptarët kudo në botë, me kujtimet e një vere që mbetet e paharrueshme

Dokumentari përfshin dëshmi ekskluzive nga protagonistët kryesorë të asaj aventure historike. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndalet te sfidat që shoqëruan rrugëtimin drejt kualifikimit të parë në një turne madhor, por edhe te rëndësia dhe impakti që pati kalimi në fazën finale të kompeticionit më të rëndësishëm kontinental. Trajneri i asaj kohe, Gianni De Biasi, rrëfen filozofinë që ndërtoi një skuadër konkurruese dhe të bashkuar, ndërsa zbulon edhe disa prej momenteve më të vështira që e shoqëruan në atë periudhë, që nga zgjedhja për të lënë jashtë skuadrës katër lojtarë, lënia e kapitenit Lorik Cana në stol ndaj Rumanisë e deri te konflikti që pati me Shkëlzen Gashin dhe Taulant Xhakën pas ndeshjes me Zvicrën.

Një vend të veçantë zënë edhe kujtimet e ish-kapitenit Lorik Cana, simbol i atij ekipi dhe një nga figurat më të dashura për tifozët kuqezi, ndonëse rrugëtimi i tij në Euro 2016 nuk ishte ai që kishte ëndërruar. Përmes rrëfimeve të tij, por edhe të ish-lojtarëve Andi Lila dhe Taulant Xhaka, publiku do të ketë mundësinë të zbulojë prapaskenat, emocionet e dhomave të zhveshjes dhe sakrificat që shoqëruan atë rrugëtim të jashtëzakonshëm.

Pjesë e dokumentarit është edhe Armando Sadiku, autori i golit të parë dhe të vetëm të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Goli ndaj Rumanisë, që i dha Kombëtares fitoren e parë në një Europian, rikthehet përmes kujtimeve të vetë sulmuesit, si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e sportit shqiptar. Në dokumentar flet gjithashtu edhe Elseid Hysaj, një nga protagonistët e atij ekipi, i cili ndan emocionet e përfaqësimit të vendit në skenën më të madhe kontinentale, teksa mori shiritin e kapitenit për herë të parë pikërisht në ndeshjen e 10 viteve më parë ndaj Zvicrës, ndonëse asokohe ishte vetëm 22 vjeç.

Publiku do të ketë mundësinë që të rikujtojë atmosferën që mbizotëronte mes tifozëve, entuziazmin e jashtëzakonshëm dhe ndikimin që ai kualifikim pati në rritjen e besimit te futbolli shqiptar.

Ky dokumentar nuk është vetëm një rikthim te rezultatet dhe ndeshjet e një dekade më parë, por një homazh për një brez që bëri histori dhe frymëzoi miliona shqiptarë. Dhjetë vjet më pas, Euro 2016 mbetet një nga kapitujt më krenarë të sportit tonë, ndërsa rrëfimet e protagonistëve rikujtojnë se disa ëndrra, kur besohen fort, mund të bëhen realitet.

 

“10 vjet nga Euro 2016” mund ta ndiqni në FSHF TV dhe në kanalin zyrtar të FSHF në YouTube.