Ekspertët mjedisorë kundërshtojnë argumentet e Ramës për Zvërnecin
Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se ndryshimet ligjore të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk e kanë prekur zonën Pishë Poro-Nartë, ku një projekt zhvillimi masiv për turizëm i mbështetur nga dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, u bë shkaktar i protestave qytetare që po mbahen prej më shumë se dy javësh në Tiranë dhe në shumë qytete të tjera të vendit dhe në diasporë.
Në një status të gjatë në Facebook, Rama pretendoi se zona ku pritet të investohet në Zvërnec vijonte ishte e mbrojtur ligjërisht në kategorinë “Peisazh i Mbrojtur” dhe se dispozitat ligjore nuk ndalonin zhvillimin e saj për turizëm. Rama tha gjithashtu se kjo zonë nuk kishte lidhje me deltën e Lumit Vjosa- e shpallur nga qeveria e tij si park kombëtar.
“Lajmi për heqjen e statusit të zonës përkatëse zhvillimore si zonë e mbrojtur, me qëllim hapjen e rrugës për këtë investim, është njëra prej të pavërtetave më të mëdha që janë fryrë përtej çdo imagjinate kundër këtij investimi kolosal për Shqipërinë,” shkroi Rama.
Ligji për Zonat e Mbrojtura u ndryshua në vitin 2024, pas një nisme të prezantuar nga disa deputetë socialistë, duke i hapur rrugën ndërtimeve për qëllime turistike brenda tyre. Këto ndryshime u miratuan me kartonët e mazhorancës, pavarësisht kundërshtimeve të Bashkimit Europian, organizatave mjedisore dhe opozitës, që në atë kohë i konsideruan ndryshimet si ‘rrugë pa kthim’ drejt shkatërrimit të zonave të mbrojtura.
Ekspertët mjedisorë e kundërshtojnë qëndrimin e Ramës, duke e konsideruar atë si “tentativë për manipulim të opinionit publik”.
“Ajo që ndodhi me ligjin e vitit 2024 është se u prek koncepti i mbrojtjes së këtyre zonave dhe u hoq mbrojtja efektive e tyre,” tha Taulant Bino, ekspert mjedisi dhe drejtues i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë (AOS).
“Konkretisht, u hoq koncepti i ‘nënzonimit’ të brendshëm, duke u hapur kështu rrugën ndërtimeve brenda tyre, edhe në atë pjesë që përcaktohej si ‘Zonë Qendrore’, e cila me ligjin e mëparshëm gëzonte një mbrojtje më të lartë se zonat përreth,” shtoi ai.
Heqja e konceptit të ‘nënzonimit’ në ligj ka sjellë, sipas Binos, futjen e buldozerëve mbi dunat e rërës dhe ekosistemin që gëzonte një mbrojtje më të lartë brenda zonës së “Peisazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”.
Objekt debati është neni 20 i ligjit, ku parashikohen masat për zonat e shpallura “Peizazh i Mbrojtur” – siç është zona Pishë Poro- Nartë.
Duke iu referuar pikës 4 të nenit 20 mbi aktivitetet e lejuara, Rama tha se kjo pikë ishte e pandryshuar nga varianti i vitit 2017.
Por ekspertët mjedisorë thonë se në ligjin e vitit 2017, këto aktivitete lejoheshin vetëm në nënzonat e tjera, pa prekur zonën qendrore.
“Rama bën demagogji dhe manipulon mbi çdo argument që ka dhënë në qëndrimin publik,” tha për BIRN Olsi Nika, ekspert mjedisor dhe drejtues i organizatës EcoAlbania.
“Ndryshimet ligjore të vitit 2024 dobësuan mbrojtjen e zonës,” tha Nika, ndërsa shtoi se u zgjeruan aktivitetet e lejuara brenda zonave të mbrojtura, duke përfshirë “turizmin e ekselencës” dhe infrastrukturën mbështetëse”.
Nika argumenton gjithashtu se heqja e nënzonimit të brendshëm me ligj bëri të mundur që të zhdukej “instrumenti kryesor ligjor për mbrojtjen e pjesëve më të ndjeshme ekologjike”. Zona ku propozohet resorti përkon sipas tij me ish-zonën qendrore të mbrojtjes, ku nëse do të kishte mbrojtjen e mëparshme ligjore, aktiviteti njerëzor duhej të ishte minimal.
Një tjetër ndryshim ligjor i bërë nga mazhoranca socialiste dhe qeveria në vitin 2024 është ndryshimi i kompetencave institucionale mbi këto zona, duke zhvendosur vendimmarrjen për këto zona nga institucionet e specializuara për mbrojtjen e natyrës tek Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), një institucion që drejtohet nga vetë kryeministri Rama.
Ekspertët mjedisorë hedhin poshtë gjithashtu pretendimet e Kryeministrit se zona që u rrethua me tela me gjemba në Zvërnec nuk kishte lidhje me deltën e Vjosës, një park kombëtar, që gëzon një mbrojtje të lartë ligjore.
“Deltat e lumenjve nuk janë thjesht pika në hartë,” tha Nika, duke shtuar se ndërtimi i ekosistemeve duhet të shikohet në një spektër më të gjerë të dinamikës së ujërave dhe të proceseve natyrore që formësojnë peizazhin bregdetar në shkallë rajonale.
Edhe Bino këmbëngul që lidhja mes Deltës së Vjosës dhe zonës Pishë Poro-Nartë nuk mund të shihet vetëm në aspektin administrativ të ndarjes në hartë, por në ndërlidhjen e ekosistemeve që bazohet në studime shkencore që tregojnë këtë lidhje.
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjithashtu se ideja për zhvillimin turistik të zonës kishte ardhur pas një marrëveshje mes pronarëve të tokës dhe investitorëve dhe se institicionet kishin ndjekur hapat ligjorë në veprimet e tyre.
Sipas tij, në fund të vitit 2024 ishte prezantuar masterplani i parë i investimit, i cili nuk ishte pranuar fillimisht nga KKT, por ishte kërkuar të rishikohej dhe të reflektonte uljen e intensitetit të zhvillimit dhe parashikimin e masave të posaçme për mbrojtjen e lagunës.
Një draft-masterplan i dytë i paraqitur në 30 mars 2026 e kishte bindur KKT-në për t’i miratuar lejen zhvillimore dhe pa u zbardhur ende kjo leje, një muaj më pas kompanisë i është dhënë leja e rrethimit të pronës private për zhvillim, me vendim të datës 29 prill 2026.
Rama e arsyeton këtë leje si “pjesë e procedurave ligjore që jepet me kërkesë të zhvilluesit të pronës për të mundësuar matjet në terren, aktivitetet monitoruese për studimin mjedisor dhe masa të tjera paraprake me natyrë përgatitore, të cilat janë të domosdoshme për dokumentacionin teknik të lejes së ndërtimit”. Dhe vetëm pas kësaj, në 15 maj 2026, është vendosur që projekti duhet t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis.
Sipas ekspertëve mjedisorë, kjo kronologji që paraqet Rama tregon se shteti nuk ka mbrojtur interesin publik dhe atë mjedisor në këtë rast.
“Si jep leje për rrethimin dhe lejon mjetet e rënda që të hapin një rrugë mes për mes zonës së mbrojtur pa pasur akoma një studim të ndikimit në mjedis, pse të duhet një rrethim për të bërë vlerësim mjedisor mbi të gjitha?!” pyet në mënyrë retorike Taulant Bino.
Olsi Nika thekson se një zonë e mbrojtur natyrore nuk mund të trajtohet si marrëdhënie mes dy privatëve në shmangie të përgjegjësisë shtetërore.
“Shteti nuk mund të bëjë sehir’ – thotë ai, duke shtuar nuk bëhet fjalë për pronë private, por për pronë publike kur flasim për plazhin, detin dhe monumentet natyrore të cilat u gjenden një ditë maji të rrethuar me tela.
“Vlerësimi duhet të paraprijë ndërhyrjet, jo të përdoret për të justifikuar një vendim që është marrë,” tha Nika, duke shtuar se në rastin e Pishë Poro–Nartës kërkohet edhe një analizë e bazuar në prova shkencore dhe alternativa reale.
