Tue, Jun 16, 2026

NextWave Tirana: “Youth Beats” sjell energjinë e artistëve të rinj në zemër të Tiranës

NextWave Tirana: “Youth Beats” sjell energjinë e artistëve të rinj në zemër të Tiranës
  • PublishedJune 16, 2026

NextWave Tirana: Youth Beats” sjell energjinë e artistëve të rinj në zemër të Tiranës
Holli i Universitetit të Arteve është kthyer këto ditë në një qendër të gjallë të jetës kulturore të kryeqytetit, duke mirëpritur qindra studentë, pedagogë, artistë dhe qytetarë në kuadër të festivalit “NextWave Tirana: Youth Beats”, një iniciativë e Shoqatës së Muzikës dhe Artit në Shqipëri (M3A), në bashkëpunim me Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve.
Dy netët e para të festivalit kanë dëshmuar interesin e madh të publikut për aktivitetet artistike të realizuara nga brezi i ri i muzikantëve shqiptarë. Atmosfera e krijuar në ambientet e Universitetit të Arteve ka qenë e veçantë, duke sjellë pranë publikut jo vetëm performanca artistike cilësore, por edhe energjinë, pasionin dhe talentin e studentëve që po ndërtojnë rrugën e tyre profesionale në muzikë.
Festivali u çel me Mbrëmjen e Muzikës së Dhomës, nën drejtimin artistik të Prof. Vojsava Manaj, ku studentët interpretuan vepra të njohura të repertorit klasik dhe bashkëkohor. Formacionet e ndryshme kamertale sollën një dialog të pasur artistik mes instrumenteve, duke krijuar një atmosferë elegante dhe emocionale që u prit me duartrokitje të ngrohta nga publiku.
Mbrëmja e dytë i kushtohej muzikës jazz me koncertin “Jazz Beats”, interpretuar nga Ansambli “UArt Combo”, nën drejtimin e Prof. Gent Rusha. Ritmet dinamike, improvizimet kreative dhe interpretimet energjike të studentëve të Jazz-it krijuan një eksperiencë të veçantë artistike, duke sjellë një dimension tjetër të festivalit dhe duke dëshmuar potencialin e jashtëzakonshëm të artistëve të rinj shqiptarë.
Për më shumë se dy netë rresht, publiku tiranas ka mbushur ambientet e koncertit, duke treguar se ekziston një interes i vazhdueshëm për aktivitetet kulturore që promovojnë talentin e ri. Studentë, familjarë, artdashës dhe qytetarë të moshave të ndryshme janë bërë pjesë e këtij takimi të rëndësishëm mes edukimit artistik dhe jetës kulturore të qytetit.
Sipas Drejtoreshës së Festivalit, Prof. Armira Kapxhiu, një nga qëllimet kryesore të projektit është krijimi i mundësive reale për studentët që të performojnë përpara publikut jashtë auditorëve universitarë.
“Ky festival është konceptuar si një platformë që u jep studentëve mundësinë të prezantojnë punën e tyre artistike përpara publikut të gjerë. Për ta, kjo është një eksperiencë profesionale e rëndësishme, ndërsa për qytetin është një mundësi për të njohur nga afër talentet e reja që po formohen në Universitetin e Arteve. Jemi të lumtur që Holli i Universitetit po shndërrohet në një hapësirë të re të kulturës dhe muzikës për Tiranën”, u shpreh Prof. Kapxhiu.

Festivali do të vijojë edhe në dy netët e ardhshme me programe artistike që pritet të tërheqin një numër edhe më të madh pjesëmarrësish. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë Koncertin e Korit të Studentëve, nën drejtimin e Prof. Bujar Alliu, si dhe Koncertin Pianistik të Studentëve të Pianos, nën drejtimin e Prof. Asoc. Silvana Skënderi, e cila mban gjithashtu rolin e Drejtores Artistike të festivalit.
Në përputhje me objektivat e projektit, “NextWave Tirana: Youth Beats” synon të krijojë një platformë të qëndrueshme performuese për studentët e Fakultetit të Muzikës, të rrisë pjesëmarrjen e komunitetit në aktivitetet kulturore dhe të forcojë bashkëpunimin mes studentëve, pedagogëve dhe publikut. Pjesëmarrja e lartë e regjistruar në dy netët e para tregon se projekti po ecën drejt realizimit të këtyre objektivave, duke kontribuar në pasurimin e jetës kulturore të Tiranës dhe në promovimin e artistëve të rinj.
“NextWave Tirana: Youth Beats” nuk është thjesht një seri koncertesh studentore, por një model bashkëpunimi mes institucioneve artistike, organizatave kulturore dhe komunitetit, që synon të krijojë traditë dhe të sjellë një energji të re në skenën kulturore të kryeqytetit.