E pa dëgjuar në Shqipëri! Si u kap Ilir Shtufi? I nisi agjentit të BKH vendndodhjen: Jam në Selanik…
Udhëtimi drejt Greqisë i ndërtuesit dhe biznesmenit Ilir Shtufi do të niste me një ftesë për të festuar mes miqsh datëlindjen e një fëmije. Ndërsa pak orë para se ai të mbërrinte në Selanik, gjithçka do të kthehej në një operacion “Most Wanted”.
Telefonatës së agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ai iu përgjigj i pashqetësuar, aq sa i habiti edhe vetë oficerët.
Ku ndodhesh z. Shtufi?
“Jam në Greqi për një festë dhe do të kthehem të hënën ose të mërkurën në Shqipëri. Nëse duhem, më thoni se nisem.”
“Jo, pa problem, por na nis një vendndodhje të hotelit.”
Pa e menduar gjatë, Shtufi nisi location dhe pas më pak se 30 minutash i trokasin në derë agjentët e Departamentit të Krimeve të Rënda të Policisë së Selanikut.
E teksa midis Tiranës dhe Selanikut zhvillohej ky komunikim, në media u raportua një arratisje e ndërtuesit, i cili pranë SPAK dhe BKH ka qenë edhe më herët duke dëshmuar si person në dijeni.
Ky mbetet rasti më unik në botë se si një i “arratisur” u dërgon agjentëve vendndodhjen e tij dhe iu përgjigjet në telefon. Është ky rasti që hedh poshtë versionet e dekonspirimit të hetimit, operacionit, si dhe planit të arratisjes së një prej ndërtuesve më të mëdhenj në vend.
Çështja tani është në shqyrtim të drejtësisë greke sa i përket vendimit për ekstradimin, ndërsa pala shqiptare duhet të dërgojë materialet e plota brenda 40 ditëve. Ai dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që pastronte para në sektorin e ndërtimit, ndërsa SPAK ka nxjerrë masë sigurie ndaj tij dhe 19 personave të tjerë pjesë e dosjes Aruba.”
