Fri, Jun 19, 2026

Real Madrid “trondit” merkaton, gati oferta 220 milionë euro për Michael Olise, Bayern reziston

Real Madrid “trondit” merkaton, gati oferta 220 milionë euro për Michael Olise, Bayern reziston
  • PublishedJune 19, 2026

Real Madridi vazhdon të besojë te transferimi i bujshëm i Michael Olise, pavarësisht refuzimit të qartë të Bayern Munichut për të negociuar largimin e francezit. Sipas së përditshmes spanjolle Marca, “Los Blancos” janë të gatshëm të rrisin ofertën deri në 220 milionë euro për të siguruar shërbimet e lojtarit, i cili aktualisht ndodhet me kombëtaren franceze në Kupën e Botës nën drejtimin e Didier Deschamps.

Megjithatë, klubi madrilen duhet të balancojë financat për të realizuar një operacion të tillë. Për këtë arsye, drejtuesit po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së një prej yjeve të mesfushës. Dy emrat që përmenden si kandidatë për largim janë Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni.

Në këtë moment, presidenti Florentino Pérez duket se e ka përqendruar vëmendjen kryesisht te operacioni për Olise, duke e konsideruar atë prioritet për merkaton e verës. Ndërkohë, çështja e Enzo Fernández mbetet në plan të dytë, edhe pse mesfushori argjentinas prej kohësh po ushtron presion për t’u larguar nga Chelsea dhe për t’iu bashkuar Real Madridit.

Klubi spanjoll vazhdon të punojë në prapaskenë për të realizuar një nga transferimet më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa e ardhmja e disa prej emrave më të rëndësishëm të mesfushës madrilene mbetet ende e hapur.