Sun, Jun 21, 2026

“Manita” e Holandës ndaj Suedisë, Koeman besimplotë: Skuadra është duke ecur në drejtimin e duhur

“Manita” e Holandës ndaj Suedisë, Koeman besimplotë: Skuadra është duke ecur në drejtimin e duhur
  • PublishedJune 21, 2026

Holanda dha një tjetër sinjal të fortë në Kupën e Botës, duke shkatërruar Suedinë me rezultatin e thellë 5-1 dhe duke marrë kreun e Grupit F. Një paraqitje dominuese e “Tulipanëve”, që kontrolluan ndeshjen nga fillimi deri në fund dhe konfirmuan ambiciet e tyre në këtë turne.

Skuadra holandeze e zgjidhi shpejt takimin. Brian Brobbey realizoi dy herë brenda 17 minutave të para, duke i dhënë ekipit të tij një avantazh të sigurt që në start. Në pjesën e dytë, Cody Gakpo vazhdoi spektaklin me dy gola të tjerë, ndërsa Crysencio Summerville vulosi suksesin me golin e pestë në minutat e fundit.

Pas ndeshjes, trajneri holandez Koemann u shfaq i kënaqur me progresin e skuadrës krahasuar me ndeshjen e parë. “Natyrisht, kjo ndeshje ishte më e mirë se e fundit. Kjo është ajo që dëshiron, në mënyrë ideale, të fitosh që në fillim të turneut. Por nëse kjo është një shenjë e asaj që na pret, atëherë padyshim që po ecim në drejtimin e duhur. Sigurisht që kishte presion mbi ekipin, pjesërisht për shkak të barazimit (kundër Japonisë). Nëse e fiton ndeshjen e parë, kjo të jep më shumë qetësi. Tani kemi pak më shumë hapësirë frymëmarrjeje me katër pikë dhe me faktin që kemi ende një ndeshje tjetër në grup”, theksoi ndër të tjera tekniku Koeman.

Festë pati edhe jashtë stadiumit në Hjuston, ku tifozët holandezë kënduan dhe vallëzuan nën shi për të festuar një fitore që e vendos ekipin në një pozicion të favorshëm për vazhdimin e garës.

Me këtë fitore bindëse, Holanda kryeson Grupin F me katër pikë dhe duket se po gjen ritmin e duhur në momentin më të rëndësishëm të kompeticionit. Një paraqitje spektakolare, pesë gola dhe një mesazh i qartë për rivalët: Holanda është gati të luftojë për objektiva të mëdhenj në këtë Kupë Bote.