Tue, Jun 23, 2026

Në vetëm 3 muaj 9 të vrarë, 31 të plagosur

Në vetëm 3 muaj 9 të vrarë, 31 të plagosur
  • PublishedJune 23, 2026

Në vetëm 3 muaj 9 të vrarë, 31 të plagosur

Alarm për rritjen e dhunës në Shqipëri: 9 viktima dhe 31 të plagosur në vetëm tre muaj

Të dhënat e tre muajve të fundit tregojnë një situatë shqetësuese sa i përket ngjarjeve kriminale që lidhen me konflikte të çastit dhe motive të dobëta. Sipas një hulumtimi, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar të paktën 40 ngjarje të rënda, të cilat kanë shkaktuar 9 viktima dhe 31 raste plagosjesh me thikë, armë zjarri apo sende të forta.

Statistikat tregojnë se mesatarisht çdo dy ditë në vend ndodh një ngjarje kriminale e nxitur nga grindje të momentit ose konflikte për arsye të parëndësishme, që shpesh përfundojnë me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Muaji prill u shoqërua me disa ngjarje tragjike, mes tyre vrasja e një 78-vjeçari në fshatin Bulgarec dhe e një 63-vjeçari në Vlorë, si edhe disa raste plagosjesh me thikë në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë.

Edhe gjatë muajit maj u regjistruan incidente të shumta të dhunshme. Një 66-vjeçar humbi jetën në Sarandë pas një konflikti në një lokal në zonën e Qafë Gjashtës, ndërsa në Tiranë një 17-vjeçar ndërroi jetë si pasojë e të shtënave aksidentale nga një bashkëmoshatar. Paralelisht, në disa qytete të vendit u raportuan plagosje me armë zjarri dhe mjete prerëse.

Qershori vijoi me të njëjtin ritëm alarmues. Vrasje u shënuan në Tiranë, Kamëz dhe Rrogozhinë, ndërsa raste plagosjesh u raportuan në Tiranë, Vlorë, Lushnjë, Sarandë dhe Pogradec. Mes ngjarjeve që tronditën opinionin publik ishin vrasjet e Eglant Koçit dhe Ardian Baloshit, të cilët u vranë nga persona të afërt me ta. Ndërkohë, ngjarja më e fundit u regjistrua në Rrogozhinë, ku një 25-vjeçar dyshohet se vrau me thikë fqinjin e tij 62-vjeçar pas një konflikti.

Bilanci i këtyre tre muajve ngre shqetësime serioze për rritjen e dhunës në shoqëri dhe uljen e tolerancës ndaj konflikteve të përditshme, duke e kthyer reagimin e dhunshëm në një fenomen gjithnjë e më të shpeshtë.